E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Përshtatën lokalin për shitje të drogave të forta, goditet grupi kriminal në Lushnje

Shkatërrohet një grup kriminal që vepronte në fushën e shitjes së drogave të forta në Lushnje. 4 persona në bashkëpunim me njëri –tjetrin kishin përshtatur një lokal në një vend për shitje dhe përdorim të kokainë, heroinës dhe kanabisit.

Pas një hetimi disamujor, policia gjatë operacionit të koduar “Unik”, arrestoi dy persona dhe shpalli dy të tjerë në kërkim.

4 të rinjtë ushtronin në formën e grupit, veprimtarinë kriminale të shitjes së drogave të forta dhe kanabisit, në një lokal në lagjen “Kadri Qystri”, që administrohej nga njëri prej tyre.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë lokal, u gjetën 120 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 39 gram lëndë e dyshuar narkotike heroinë, si dhe dhjetëra doza të dyshuara lënde narkotike kanabis,

Policia sekuestroi edhe 9 celularë, 1 automjet dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga shitja e lëndëve narkotike dhe bllokoi lokalin ku kryhej kjo veprimtari kriminale.

Në pranga përfunduan Zh. H. (Gj.) (i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale), 33 vjeç dhe K. Ç., 27 vjeç, të dy banues në Lushnjë.

U shpallën në kërkim M. K., 33 vjeç (i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale) dhe S. K., 29 vjeç, të dy banues në Lushnjë.

Gjithashtu po hetohet në gjendje të lirë për shtetasin K. A., 38 vjeç,  pasi u kap në lokal, duke blerë lëndë narkotike.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›