Përsosmëria shqiptare

Të gjithë ata do të bëhen bashkë në një mbrëmje solemne, që mbahet më 23 nëntor në Teatrin Kombëtar të Operës e Baletit, për të përmbyllur kështu projektin “Albanian Excellence”.
Kjo nismë ka filluar para një viti, me synim që të tregohet se shqiptarët mund t’ia dalin kudo që ndodhen, madje, edhe të jenë të suksesshëm. Fillimisht, ky projekt u ideua nga gazetarja Flora Nikolla, e pastaj gjeti mbështetjen e një grupi bashkëpunëtorësh, që u vunë në kërkim të personazheve dhe storjeve të tyre. Sipas Nikollës, brenda pak muajsh u mblodhën mbi 200 storje suksesi të shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi.
“Ideja përfundimtare e projektit është krijimi i përvitshëm i një baze të dhënash të shqiptarëve të suksesshëm në botë”, tregon Nikolla, derisa sqaron se, pavarësisht asaj se janë zgjedhur 100 storje suksesi - të cilat janë botuar në një libër – baza e të dhënave e vlerave të shqiptarëve tashmë është shumë më e madhe. Kjo është arsyeja se përse për çdo vit, dhe në prag të secilit përvjetor të Pavarësisë, do të botohet nga një libër që përmbledh storjet e shqiptarëve të suksesshëm, dhe do të organizohet nga një mbrëmje solemne, gjatë së cilës do të shpallen tri storjet më të vlefshme të atij viti.
Libri i parë, “Albanian Excellence 2012 – 100 histori suksesi në 100-vjetorin e Pavarësisë”, përmbledh emrat e shqiptarëve që arritën sukses në SHBA, Itali, Francë, Gjermani, Francë, Suedi, Zvicër, Izrael, Norvegji, Çeki, etj. Emrat e tyre janë përzgjedhur nga një këshill anëtarë të të cilit ishin personalitete të fushave të ndryshme. Përzgjedhja nga një listë e gjatë storjesh e mesazhesh që ato përcillnin, dhe mes aq shumë emrave të nderuar, nuk ishte fare e lehtë.
U nevojit një periudhë e gjatë diskutimesh, derisa lista nuk u përmbyll në vetëm 100 emra. Realizimi i librit luksoz me rreth 500 faqe, që u mbështet nga Raiffaisen Bank, u konceptua të jetë dhuratë për të gjithë protagonistët e tij, pjesa më e madhe e të cilëve duket se do të jenë pjesëmarrës në mbrëmjen e 23 nëntorit, në TKOB.
Mbrëmja solemne
Zakonisht librat publikut i prezantohen përmes promovimeve. Edhe “Albanian Excellence 2012 – 100 histori suksesi në 100-vjetorin e Pavarësisë” do ta ketë një të tillë, ndonëse në formë të një mbrëmje solemne. Skenografia e mbrëmjes në TOB është e artistit shqiptar me banim në New York, Andis Gjoni, me regjia televizive është e Petri Bozos, e skenari i takon Flora Nikollës.
E gjithë mbrëmja ka të bëjë me dhe për protagonistët e librit, të cilët do të jenë yje të mbrëmjes. Prezantimi i është besuar Marina Grabovarit, njërës prej protagonisteve të skenës shqiptare të viteve të 80’ta. Mysafirët e parë tashmë kanë ateruar në Tiranë, duke filluar që nga regjisorët skenikë Albert Dedja dhe Dardana Bërdyn - dy artistët që kanë themeluar një teatër privat në Itali; shkrimtari i njohur shqiptar me banim në Rumani, Ardian Kyçyku; Vangjel Nina, violonçelist me banim në Greqi; Migen Begolli, violiniste me banim në Gjermani; Marsida Koni, pianiste që posedon një shkollë private në Perugia (Itali); Besa Myftiu, shkrimtare me banim në Zvicër; aktori Kasem Hoxha me banim në Gjermani, etj.
Nga ana tjetër në këtë ngjarje s’do të mungojnë as ata që nuk mundën të jenë të pranishëm fizikisht, sepse në Tiranë do të jenë përmes intervistave dhe inserteve të realizuara nga organizatorët e mbrëmjes, në vendet ku jetojnë të përzgjedhurit për “Albanian Excellence”. Në mesin tyre janë intervista me sopranon Orjana Kurteshi, e realizuar në Paris; me pianisten Manjola Trebicka; me piktorin Artur Muharemi; me fotomodelen Alma Ajazi; me tenorin Saimir Pirgu; me artistin Kujtim Turkeshi; me piktorin Armand Xhomo; pastaj, intervista e realizuar në Tetovë me familjen Murtezani; me Genc Tukiçin, etj.
Mbrëmjen solemne “Albanian Excellence” do ta përshëndes edhe njëri prej protagonistëve të librit, z. Behgjet Pacolli, i cili në Tiranë do të vijë enkas për këtë mbrëmje, dhe që pritet të shpallet kryetar nderi i qendrës “Albanian Excellence”.