E Diel, 1 Nëntor 2026

Përtej shfaqjes së ksenofobisë së radhës

Guri Filozofal A nuk është dialektika edhe një marrëdhënie me të ndryshmin?

Prej disa ditësh, thirrjet antishqiptare të lëshuara nga një njësi ushtarakësh të marinës greke gjatë parakalimit të organizuar në përkujtim të ditës së pavarësisë, janë kthyer në objekt të gjerë diskutimesh në hapësirat e medias së shkruar dhe asaj pamore, si dhe kanë tërhequr vëmendjen e mbarë opinionit të vendit tonë.

Personalisht, ajo çka më tërhoqi vëmendjen dhe më shtyu ta rrok si temë të radhës në kolonat e rubrikës Guri filozofal, nuk janë reagimet “diplomatike” të institucioneve të shtetit shqiptar, as ndjesëlypja e radhës e shprehur nga institucionet e shtetit fqinj “sa për të larë gojën”, nëse mund të shprehem kësisoj, për aq sa, në gjykimin tim, më e pakta dhe e para gjë që mund të pritej nga një reagim serioz ndaj situatës së krijuar duhej të ishte ndërprerja e menjëhershme e parakalimit, i cili do të përcillte, më së paku, dy mesazhe kryesore: së pari, distancimin e prerë të institucioneve shtetërore të një vendi anëtar i NATO-s dhe i BE-së nga shprehitë e kësaj natyre dhe, së dyti, përpjekjen e këtyre institucioneve për t’i qartësuar qoftë “levendësve” të marinës, qoftë qytetarëve të tij të thjeshtë, se koncepti dhe përmbajtja e Pavarësisë s’kanë asnjë lidhje me mesazhin që përcillte përmbajtja e shprehive në fjalë. Ndërkaq, duhet të shtoj se ajo që më shtyu ta rrok si temë të gjithë sa lëviz pas kësaj ngjarjeje, nuk është as zemërimi dhe revolta e qytetarëve të vendit tonë, të cilat janë më se të vetëkuptueshme, madje, edhe krejt të përligjshme. Në të vërtetë, ajo çka më tërhoqi më së tepërmi vëmendjen është diçka tjetër, diçka që lëviz pas kësaj ngjarjeje, jo thjesht në pamjen e saj të jashtme, apo, për të qenë disi më e saktë, jo gjithë sa vërehet nga ngjarja e vështruar thjesht si një ngjarje, apo nga ndodhia e vështruar si një ndodhi. Një vështrim i ngjarjes vetëm nga ky kuadër, do të ishte jo vetëm i pjesshëm, por edhe teatralizues, në kuptimin që do të trajtohej vetëm brenda një skene të caktuar, si një ngjarje e izoluar, me një grusht protagonistësh të caktuar, në fund të fundit, si diçka që ndodhi pa pritur dhe pa kujtuar, krejt rastësisht, apo, më keq akoma, si diçka që buthtoi nga hiçi, një përftesë ex nihilo, për t’u shprehur me fjalorin e filozofisë dhe teologjisë, arsye për të cilën edhe shoqërohet me një ndjesi “habie”, siç ndodhi edhe në rastin e thirrjeve të njësisë së ushtarakëve të marinës greke, a thua se ngjarje të tilla ndodhën për herë të parë dhe, për më tepër, janë fryt i rastësisë?!

Nëse hedhim një vështrim jo thjesht mbrapa në kohë, por edhe rreth e qark, në kohët tona, dua të them, vërejmë se ngjarje të kësaj natyre nuk janë as të parat dhe, nga sa po shohim dhe po dëgjojmë, nuk kanë për të qenë as të fundit, arsye për të cilën, është e nevojshme që syresh të mos trajtohen duke i vështruar si realitete të veçuara, të izoluara, “incidentale” apo “aksidentale”, që ndodhin brenda një skene të caktuar, duke u kapur kësisoj më së tepërmi pas formave të veçanta, por të qëmtohen nën dritën e shkaqeve që sollën shfaqjen e ngjarjeve si të tilla. Që këtu do të thotë shprehimisht se ngjarjet e kësaj natyre, por jo vetëm syresh, është e nevojshme që të trajtohen sipas një këndvështrimi më të gjerë dhe më të thellë, duke u përpjekur të nxjerrim në dritë shkakësitë që mundësojnë shfaqjen e tyre dhe, për aq sa na lejojnë mundësitë, të përpiqemi që të ndërhyjmë pikërisht te këto shkakësi, në rast se duam të zvogëlojmë sa më tepër mundësinë e shfaqjeve të tyre; në të kundërt, do të vijojmë si gjithnjë që t’i jepemi vazhdimisht të njëjtës garniturë (para)-gjykimesh apo interpretimesh të pjesshme, duke marrë si pikënisje simptomat e një patologjie të caktuar dhe jo shkakësinë e saj. Në qoftë se veprojmë kësisoj, gjithçka, çdo ngjarje, e cilësdo natyrë dhe përmasa qoftë, nuk do të jetë tjetër përpos se një çështje e rëndomtë dhe rutinore e ulje-ngritjeve të siparit mbi skenën teatrale, dhe ajo çka do të ndryshonte në palosjet dhe shpalosjet e këtij sipari do të ishin veç format e veçanta të ngjarjeve dhe moria e protagonistëve të përfshirë në të, ndërkohë që pjesa shoqëruese do të ishte pak a shumë e njëjtë.

çfarë dua të them përmes gjithë sa më sipër? - Shprehimisht këtë: ngjarja e njësisë së ushtarakëve të marinës greke është e njëjtë në thelb, në prirje dhe në përmbajtje, porse e ndryshme në formë, me ngjarjen që u regjistruan në fillim të këtij viti në disa qytete të Italisë, si Romë, Mesina, Napoli etj., kur disa grupe vendase u ngritën kundër të huajve (kryesisht emigrantë), duke përdorur deri dhe dhunën fizike. çka flet qartazi se pas tyre fshihet diçka tjetër, shumë më komplekse dhe që meriton shumë më tepër vëmendje nga sa mund të kërkojë një fyerje.

Për mendimin tim, të parë në thelbin e tyre, këto ngjarje, dhe të tjera të ngjashme që janë regjistruar në mbarë historinë e njerëzimit, janë fryt i drejtpërdrejtë i ksenofobisë, çka bie ndesh paksa me një pjesë të mirë të opinionistëve, qoftë edhe atyre që u shprehën në lidhje me rastin e njësisë së ushtarakëve të marinës greke, të cilët ja e kanë trajtuar si “raciste” (dhe ky është një ndër elementët më të pranishëm në interpretimin e ngjarjeve të tilla), ja e kanë parë si “ksenofobiste” dhe “raciste”, duke vendosur kësisoj një shenjë paqësore barazimi mes këtyre dy termave, çka gjykoj se është një gabim, pasi mes këtyre dy termave ka jo pak dallime. Në mbarë historinë e Perëndimit, shprehjet e “racizmit” janë tejet të vona, krahasuar me shprehjet e ksenofobisë dhe, për më tepër, janë pjellë e ksenofobisë dhe e disa ideologjive që kanë abuzuar me vetë konceptin e “racës” për qëllime nënshtrimi dhe shfrytëzimi, duke i ndarë njerëzit në “racë superiore” - e lindur për të sunduar dhe shfrytëzuar të tjerët - dhe “racë inferiore” - e lindur për të qenë e sunduar dhe e shfrytëzuar nga të tjerët. Fjala është për një abuzim safi, për aq sa, vështruar nga pikëpamja shkencore, antropologjikisht termi “racë” nuk mbart të njëjtin kuptim dhe nuk shënjon të njëjtin realitet siç ndodh në rastin kur ky term zbatohet në rastin e llojeve të tjera. Mjaft të mbajmë parasysh se për të përcaktuar një racë, është e nevojshme që të mbledhim dhe të qëmtojmë ndryshimet gjenetike (përmasat, ngjyrat, format etj.) që vërehen brendapërbrenda një lloji të caktuar. Në rastin e llojit njerëzor, shkencat e biologjisë kanë arritur në përfundimin se ndryshimet e kësaj natyre kapin shifrat 0,05%; mbështetur në këtë përfundim shkencor, biologjia i vështron tashmë tërë qeniet njerëzore si pjesë e të njëjtës racë, dhe kjo për shkak të shkallës së lartë të homogjenitetit që syresh shpalosin nga këndvështrimi gjenetik. çka këtu do të thotë shprehimisht se, të flasësh në kohët tona – të sunduara dhe të diktuara bindshëm nga njohuritë shkencore - për ndryshime raciale, në të vërtetë nuk është thjesht një anakronizëm, por një abuzim i pastër dhe një ideologji pas të cilës fshihen qëllime të tjera nga ajo e ruajtjes së “pastërtisë së llojit”.

Përpos kësaj, sikundërse u shpreha edhe më sipër, përgjatë historisë së Perëndimit, ksenofobia është një nga dukuritë e lëvruara më së shpeshti, më së tepërmi dhe në mënyrë fort të theksuar. Trajtat e saj kanë kaluar sa në sitën e ndjesive psikologjike (frika dhe terrori nga i “huaji”) deri në zhvlerësimin e botës dhe gjithçka tjetër që është e tij (kultura, gjuha, seksi, feja etj.). Kështu, për shembull, bota helene u karakterizua ndjeshëm nga dallimi kulturor mes grekëve dhe “barbarëve” - ata që nuk flasin gjuhën tonë - dhe se ky dallim sa erdhi dhe u zhvendos edhe në rrafshin politik mes sistemit demokratik dhe atij despotik, porse këto dallime nuk u trajtuan asnjëherë si të rrafshit “racor”; po ashtu, në periudhën e perandorisë romake, ajo që vështrohej si më e epërme nga të “huajt” ishte vetëm kultura dhe administrimi politik, dhe assesi jo raca, ku shembullin më të qartë e peshkojmë te Ciceroni dhe Taciti, në veprat e të cilëve Galët, Keltët dhe Gjermanët cilësohen kulturalisht më të ulët, më inferiorë sesa Roma, dhe jo për shkak të racës; në Mesjetë, dallimet ishin të rrafshit fetar, dhe assesi jo racor. Dhe kjo pamje do të vijonte deri në kohën kur ideologjia fashiste dhe naziste u ulën këmbëkryq në Europë, duke ndërmarrë në mënyrë abuzive, me në krye Hitlerin dhe Rosenberg-un, një ndarje të llojit njerëzor në raca të epërme dhe të ulëta. Porse, kjo mbeti një segment i përkohshëm, pasi ksenofobia u kthye sërishmi në skenë, ku më i sulmuari është i “huaji” politik, ideologjik dhe, më së tepërmi në vendet e ish-bllokut komunist, klasor.

Duke mbajtur parasysh këtë kuadër, atëherë, vetvetiu kuptojmë se rasti i njësisë së ushtarakëve të marinës greke nuk është as i ri, as i fundit. Si shumë raste të tjera, edhe ky rast është pjellë e ksenofobisë, e kësaj dukurie që e hasim kudo dhe kurdo, dhe i vetmi ndryshim është grupi i protagonistëve të përfshirë në të. Ksenofobinë, frikën nga ajo që është e ndryshme nga ne, e hasim në çdo cep të shoqërisë dhe me ngjyresa nga më të larmishmet: ksenofobi kulturore, politike, ideologjike, gjinore, fetare, klasore, ekonomike, shkencore etj.

Prej sa më sipër, nëse duam të shmangim shfaqjen e të tilla ngjarjeve si ajo e njësisë së ushtarakëve të marinës greke, duhet të përpiqemi që të ndërhyjmë te shkakësia që mundëson shfaqjen e tyre si të tilla; më konkretisht, është e nevojshme që të luftojmë drejtpërsëdrejti ksenofobinë. Po në ç'mënyrë? Për mendimin tim, duke ndërmarrë nisma shumëplanëshe në drejtim të shpalosjes së një të vërtete antropologjike; më konkretisht, e të vërtetës se i huaji, përpara të cilit nuk përtojmë të ngremë mure sa më të larta dhe sa më të trasha, në të vërtetë nuk gjendet thjesht jashtë nesh; përkundrazi, më së pari ky i huaj gjallon brenda nesh; është i huaji dialektik, nëse mund të shprehem kësisoj, ai që ishim, por nuk jemi, dhe ai që do të jemi, që do të jetë i ndryshëm nga ai që jemi, çka vlen jo vetëm në rrafshin kulturor, gjuhësor, mendësor, botëkuptimor, psikologjik, por edhe natyror. Dialektika, e cila është në thelb të natyrës, ka në thelb ndryshimin, është një marrëdhënie me të ndryshmin; dhe se ky ndryshim nuk cenon, por e pasuron të tashmen tonë. Nëse mbajmë parasysh këtë, atëherë, jo vetëm rasti i njësisë së ushtarakëve të marinës greke, jo vetëm rasti i ngjarjeve ksenofobe në Itali, por çdo shprehje e ksenofobisë del se është perverse, kundër natyrës dhe ligjeve të saj.Ksenofobia fsheh një krizë identitare, që shndërrohet në një sjellje depresivo-maniakale. Nëse nuk përpiqemi në këtë drejtim, në drejtim të kuptimit dhe vlerësimit të drejtë pasurues të ndryshimit, ngjarje të tilla do të vijojnë që të shfaqen herë pas here, dhe gjithçka do të jetë thjesht një çështje e rëndomtë e ulje-ngritjeve, e shpalosjeve dhe palosjeve të një sipari mbi skenën e një teatri.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›