E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rimishërimet e zonjës Orlan

Shpërfytyrimet me artin karnal Orlan është bërë e njohur falë “performancave” të saj ekstreme, shfaqje që e kanë klasifikuar artisten franceze mes protagonistëve të asaj që quhet arti postorganik ose posthuman

Artistja e famshme dhe shumë e përfolur Orlan është bërë e njohur falë “performancave” të saj ekstreme, shfaqje që e kanë klasifikuar artisten franceze mes protagonistëve të asaj që quhet arti postorganik ose posthuman. Orlan po zbaton te vetja një ndryshim fizik dhe identiteti nga më radikalet dhe të diskutueshmet në panoramën artistike bashkëkohore. E lindur më 30 maj të vitit 1947 në Saint-Etienne (Francë), Orlan ka zgjedhur si material për performancat e saj jo ndonjë aliazh apo metal, por trupin, veten dhe identitetin e saj. Në fakt, që nga maji i vitit 1990 Orlan u është nënshtruar një sërë operacionesh kirurgjike, me titull “The Reincarnation of Saint Orlan”, me qëllim për t’u transformuar në një qenie të njerëzore të ngjashme me modelet klasike si Afërdita dhe Mona Liza. Orlan u nënshtrohet herë pas here edhe kontrolleve të ligjshme (një nga problemet me të cilat artistes i është dashur të përballet me drejtësinë franceze). Artistja dëshiron t’i tregojë botës për problemet e shumta që hasen nga teknologjia dhe kirurgjitë e reja.

Për të është thënë se kombinon së bashku ikonografinë baroke, teknologjinë mjekësore dhe informatike, teatrin dhe rrjetet e komunikimit, puna e saj sfidon konceptin tradicional të bukurisë dhe atë perëndimor të identitetit e bukurisë. Më 21 dhjetor të vitit 1993, në Nju Jork gjatë javës së performancës kirurgjike, artistja franceze ka vënë në anët e ballit dy impiante silikoni, të cilat krijojnë dy të ngritura që u ngjajnë pak a shumë brirëve të vogla. Mes “veprave” që Orlan ka hedhur në treg për publikun janë edhe videokasetat e xhiruara gjatë operacioneve të saj.

Orlan i ka filluar performancat e para në vitin 1964, me disa operacione të vogla estetike (për shembull ai për të matur hapat publikë me trupin e saj, duke u tërhequr zvarrë nëpër rrugë). Performanca e parë kirurgjike daton në vitin 1978, një operacion urgjence i filmuar në video ndërsa kryhej drejtpërsëdrejti.

Në vitin 1982 themeloi “Art-Açès”, revistën e parë të artit bashkëkohor. Më 1983-in ngarkohet nga Ministria e Kulturës me detyrën për të përgatitur një raport mbi “Art-Performance”; në vitin 1984 regjistrohet në liceun “Ecole Nationale des Beaux-Arts” të Dijonit. Në 1998-n përgatit me kompjuter disa video duke filluar nga transformimet më të thjeshta të trupit deri tek ato më ekstremet.
Artiste tashmë e njohur në të gjithë botën, performancat e saj mbështeten edhe nga Ministria e Kulturës franceze dhe ajo Punëve të Jashtme.

“Një psikoanalist të cilit i tregoja gjithçka rreth shpikjeve të mia për të ndryshuar fytyrën time, reagoi në fillim sikur t’i kisha komunikuar vetëvrasjen time. Doli jashtë sjelljes së tij të zakonshme profesionale për të më ndaluar të prekja apo të ndryshoja trupin tim”, është shprehur artistja franceze, Orlan, në një intervistë. “Mendoj se të ndryshosh trupin tënd për punë ose kënaqësi është e ligjshme. Kjo praktikë estetike është e veçantë, sepse bëhet drejtpërsëdrejti në televizion. E kush nuk i kujton personat, të cilët u nënshtroheshin operacioneve nën objektivin e telekamerave?”.
Orlan është krijuesja e një forme të re arti që ka ndryshuar karakteristikat e artit të trupit, duke e përhapur dhe duke e bërë më ekstrem nga çka qenë ndonjëherë. “Normalisht konsiderohem një artiste që përfaqëson kriteret standarde estetike të shoqërisë sonë, pikërisht pse kam vendosur në mënyrë artificiale dy brirë në ballë. është një lloj lufte e dëshpëruar me normat aktuale të estetikës. Po flasim për një trup të ri, për turpin mutant”, shprehet ajo. Eksperienca e Orlan tregon në një farë mënyre rrezikun e metodave të kirurgjisë së avancuar, si dhe arritjen e një e rezultati në mungesë pothuajse totale rreziqesh dhe dhimbjesh. Arti karnal përcaktohet si një shpërfytyrim dhe rifigurim, një lloj narcizmi që nuk humbet në reflektimin e tij. Orlan thotë se bën një punë klasike, një autoportret që kryhet i gjithi në mish. Sot kirurgjia estetike është bërë një element shumë i rëndësishëm dhe nuk është artisti ai që ndryshon pamjen e jashtme, por kirurgu me mjetet e tij shkencore. Kjo është arsyeja që arti karnal është bërë një punë klasike në sensin klasik, i cili realizohet me mjetet teknologjike bashkëkohore. E veçantë, e vendosur dhe gjithmonë shumë guximtare, “Zonja e artit” ka qenë gjithmonë në qendër të skandaleve publike dhe të debateve të nxehta kulturore. Rrugëtimi i saj gjithnjë ka qenë gjithmonë i mbushur me probleme (humbi edhe punën e saj si mësuese për shkak të një performance) dhe kritika nga ana e borgjezëve. Arti i saj është një mohim i dhimbjes si formë shpengimi, kërkim antropologjik mbi konceptin e bukurisë, përpunim i imazhit barok dhe refuzim i normave klasike të bukurisë. Për rreth 40 vjet e ka transformuar “mishin e saj” në një mjet komunikimi për të rikrijuar një gjuhë të re.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›