Përurohet busti i Sabri Godos në Tiranë
Basha, Sequi dhe Zhiti përkujtojnë dekanin e politikës
Nga dita e djeshme Tirana do të ketë bustin e një prej politikanëve më të njohur në Shqipëri, ish deputetit t Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, shkrimtarit dhe skenaristit z. Sabri Godo.
Vlerësimi i Bashës
Për Kryetarin e Bashkisë, imazhi i Godos, i përjetësuar në mermer do të vlejë si një shtysë drejt marrjes së vendimeve më të mira, në favor të çështjeve për të cilat zoti Godo u përpoq, gjatë gjithë karrierës së tij. Për mua kjo ditë është e ngarkuar me emocion, sikundër për shumë prej nesh por edhe me një sens përmbushje dhe tashmë një pritshmërie të re, një pritshmërie që imazhi i tij i përjetësuar sot në mermer do të vlejë si një shtysë ekstra, përveç kujtimeve tona për të, për të na shtyrë drejt një jete më të drejtë, drejt vendimeve më të mira, në favor të çështjeve për të cilat ai luftoi dhe u përpoq gjithë jetën e tij, familjen, shoqërinë, atdheun dhe kombin, u shpreh Basha.
Vajzat e Godos
Në emër të familjes Godo, vajza e Sabriut, Ermira Godo ka falënderuar Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe gjithë ata që mundësuan përjetësimin e Sabri Godos në këtë bust. E falënderojmë për kujdesin me të cilën e përgatiti këtë ceremoni edhe pse në një periudhë të ngjeshur dhe të ngarkuar për të dhe i lutem ti përcjellë mirënjohjen tonë Këshillit Bashkiak dhe të gjithë strukturave të Bashkisë, që pa mëdyshje dhe në një periudhë mjaft të shkurtër, na i bënë gjërat të lehta. Babai ynë e konsideronte z. Basha njeriun e duhur, për punët e duhura. Unë dhe gjithë familja jonë i urojmë me gjithë zemër një të ardhme të ndritur, u shpreh zonja Godo.
Zhiti: Godo ishte luftëtar i lirisë
Ministri i Kulturës Visar Zhiti e ka cilësuar Sabri Godon si luftëtar të lirisë. Më lejoni ti drejtohem Sabri Godos, mirëserdhët! Kujtuam se iku por nuk është e vërtetë, ai u kthye prapë. U kthye aty ku e la punën, si deputet i popullit të tij. Tani është pranë Parlamentit, përgjithmonë. Sabri Godo ishte luftëtari i lirisë, tani është në mermer për ta përkujtuar si të tillë
Sequi: Godo do të jetë gjithnjë pranë nesh
Ambasadori i BE, Ettore Sequi, një mik i Sabri Godos ka vlerësuar punën dhe angazhimin e tij, e cila sipas z. Sequi është aq kuptimplotë, sa do ta mbajë Godon të pranishëm përjetë mes nesh. Për mua, ai ka qenë një mik vërtet i mirë i cili më është gjendur pranë në çdo moment, i është gjendur pranë një diplomati të ri i cili kishte nevojë për këshillat e tij dhe këtu sot kemi një burrë vërtet të madh, një shqiptar të madh, një mik shumë të mirë, tha Sequi.