E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri ligjet, Meta: Jam i zhgënjyer nga Berisha

ilir metaSynimi i Berishës paska qenë mbushja e Gjykatës së Lartë me militantë
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i është rikthyer edhe një herë apelit të tij për votimin e tri ligjeve të mbetura pezull në Parlament. Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputet të LSI-së në Shkodër kreu i LSI-së vlerësoi rëndësinë e miratimit të tri ligjeve nga ana e parlamentit.
Për Berishën
Arsyeja ka të bëjë pikërisht me faktin se nuk mjafton vetëm të miratojmë ligje, por e rëndësishme dhe të respektojmë frymën e ligjit dhe në rastin konkret bëhet fjalë për institucione dhe reforma të rëndësishme dhe do të nënvizoja rëndësinë që ka miratimi i ligjeve për gjykatën e lartë në funksion të Gjykatës administrative, u shpreh Meta. Duke folur për qëndrimin e mbajtur nga politika pas apelit të LSI-së, Meta tha se është i zhgënjyer nga qëndrimi i PD-së, dhe veçanërisht nga kryeministri Berisha. Kreu i PS-së e pranoi këtë kompromis, jam i zhgënjyer që kreu i PD-së bën sikur nuk e kupton këtë kompromis duke kërkuar që ligjet të miratohen siç janë dhe të hyjnë siç janë, por synimi nuk ka qenë miratimi i 3 ligjeve, por mbushja e Gjykatës së Lartë me militantë. Shpresoj të jem i gabuar, në këtë që thamë dhe uroj që për hir të integrimit të pranohet ky kompromis, deklaroi Meta.
Koalicioni
Në vijim të fjalës së tij, Ilir Meta komentoi edhe vendimin e marrë nga LSI-ja për largimin nga koalicioni qeverisës, duke e cilësuar këtë si një vendim të drejtë. Ndarja me PD ishte një vendim i drejtë. LSI është ajo forcë politike që u qëndron marrëveshjeve dhe që kur i vjen fundi i marrëveshjes jep dorën me qytetari dhe di të ndahet me qytetari. Por tani Shqipëria ka nevojë për një ndryshim. Shqipëria ka nevojë jo thjesht për një rotacion por, për një vizion thellësisht të ndryshëm, që do i japë fund njëherë e mirë kësaj politike konfliktuale e përjashtuese që është përgjegjëse për këtë ngërç drejt BE-së, tha Meta. Lista e kandidatëve të LSI-së për deputet në qarkun e Shkodrës kryesohet nga Agron Çela, ndërkohë që e dyta në listë renditet ish-zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›