E Enjte, 5 Nëntor 2026

“Tetori rozë”, Begaj: Ekzaminimet në kohë shpëtojnë jetë

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Në muajin ndërkombëtar të ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, Presidenti Bajram Begaj përcolli sot një mesazh sensibilizues për kryerjen e kontrolleve të vazhdueshme, ndërsa theksoi se “ekzaminimet në kohë shpëtojnë jetë”.

Në kuadër të Tetorit Rozë, Kreu i Shtetit organizoi një takim ndërgjegjësues me gra e vajza në ambientet e Presidencës.

“Si mjek, si bashkëshort dhe si prind ju ftoj të bëni ekzaminimet, pasi parandalimi është më i lehtë se trajtimi. Ekzaminimet në kohë shpëtojnë jetë! Bëni pjesë të jetës suaj kontrollet e herëpashershme! “Tetori rozë” duhet të jetë në çdo ditë të vitit”, u shpreh ai.

Për të rritur ndërgjegjësimin, përgjatë gjithë muajit tetor, organizohen aktivitete të ndryshme, për të inkurajuar gratë që të kryejnë kontrolle të rregullta, si mamografia, që ndihmojnë në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Qëllimi është të rritet numri i ekzaminimeve për kapjen e hershme të kancerit dhe për rritjen e mundësive për një shërim të plotë të gruas.

Simboli kryesor i kësaj fushate është shiriti rozë, i cili përfaqëson mbështetjen dhe solidaritetin me të prekurat nga kjo sëmundje, si dhe angazhimin për parandalim dhe kujdes të vazhdueshëm shëndetësor.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›