Përurohet sistemi i ri i kamerave për trafikun rrugor

Përurohet salla operative e sistemit të ri të kamerave në policinë e shtetit për trafikun rrugor. Në inagurimin e kësaj salle ka marrë pjesë edhe ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Hysni Burgaj.
Në fjalën e tij ministri i brendshëm Lulzim Basha theksoi se sistemi i ri skaut i kamerave i cili do të monitorojë live trafikun rrugor është një hap përpara i policisë së shtetit.
Sipas tij ky monitorim 24 orë bazohet në filozofinë e qeverisë për ngushtimin e abuzimit mes policisë dhe qytetarëve dhe për zbatimin sa më rigoroz të ligjit.
“Sistemi skaut është një hap gjigand përsa i përket një rruge më të sigurtë, një trafiku më të sigurtë dhe raportit mes qytetarëve dhe policisë” theksoi Basha duke shtuar se ky sistem s`ka asnjë mundësi për manipulim.
Monitorimi me kamera i trafikut do të thotë që sistemi i ri do të përpunojë në kohë reale të dhënat e marra nga policia rrugore në terren si dhe për vendodhjen e tyre.
Gjithashtu sistemi i ri i kamerave do të bëjë të mundur vënien e gjobave për të gjithë shkelësit e kodit rrugor në mënyrë automatike ku bashkë me gjobën qytatari i cili ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor do të ketë edhe fotografinë me datën dhe orën që vërteton edhe shkeljen.