E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perurohet te henen Pavioni i Terrorit Komunist

Në Muzeun Historik Kombëtar, çelet pavioni "Terrori Komunist në Shqipëri" paraditen e të hënës në një ceremoni të veçantë, ku do të marrin pjesë personalitete të politikës, kultures dhe më gjerë. Për ngritjen e këtij pavijoni, ka punuar një grup pune i përbërë nga muzeologë të MHK si dhe kanë ndihmuar Arkivi i Ministrisë së Brendshme, Në krye të grupit të punës ka qënë drejtori i MHK, Prof. dr. Luan Malltezi.
Pavijoni përfshin ngjarje të ndodhura në Shqipëri nga fillimi i vitit 1945 deri në rënien e regjimit komunist.
Në stendat e lartpërmendura jepet një informacion i gjerë për një nga dramat e mëdha të shqiptarëve për gati 50 vite të diktaturës komuniste, dokumentacion i gjerë për këtë dramë si dhe për mijëra viktima, qindra fotografi, një pjesë e të cilave publikohen për herë të parë. Pjesë e pavionit janë edhe dhjetëra objekte të dhuruara nga ish të përndjekur dhe familjet e tyre.
Në pavion janë vendosur 3 monitorë, ku do të jepen filma dokumentarë për periudhën 1945 deri në rrëzimin e komunizmit.
Krahas ngritjes së pavionit, është përgatitur nën kujdesin e drejtorit të MHK Prof. dr. Luan Malltezi edhe botimi me foto dhe dokumente të shumta titulluar:"Terrori Komunist në Shqipëri", i cili paraqet interes për publikun.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›