Përvjetori i Masakrës së Lubotenit, përgjegjësi Tarçullovski lartësohet prej maqedonasve si hero!
Shënohet 12 vjetori nga masakra e vitit 2001 në fshatin Luboten në të cilën forcat maqedonase vranë dhjetë shqiptarë, dogjën 14 shtëpi dhe arrestuan dhe keqtrajtuan mbi 100 shqiptarë. Një ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit anëtarët e një njësie policore të komanduar prej Johan Tarçullovskit kryen një sulm të paligjshëm në Luboten ku u vranë gjashtë vjeçari Erxhan Aliu, Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami, Atulla Qaili. Deri më tani vetëm Tarçullovski u dënua me burg për këtë krim, “heroi” i sotëm i Qeverisë i cili tani është i lirë pasi ka vuajtur 8 vite burg dhe u prit në mënyrë madhështore nga po kjo Qeveri. I akuzuari i parë, ministri i Brendshëm i asaj kohe Ljube Boshkovski në mungesë provash u lirua nga akuza dhe u prit në të njëjrën mënyrë por ai sot është “tradhtari” ai gjendet në burg për keqpërdorim të pozitës zyrtare. I dënuari për krime lufte ndaj shtatë shqiptarëve gjatë vitit 2001, Johan Tarçullovski në prill të këtij viti zbriti në aeroportin e Shkupit. Kryeministri dërgoi avion qeveritar deri në Gjermani ta merr atë ndërsa e priti me përqafim kur zbriti nga i njëjti. Gruevski, “heroit” të kombit si që e konsiderojnë shumica e maqedonasve, i dhuroi flamurin e Maqedonisë para Qeverisë. Banorët e Lubotenit dhe shqiptarët e Maqedonisë u shprehen të revoltuar nga pritja e tillë e Qeverisë. “Dy vëllezër i kemi humbur, unë kam qenë 13 vjet e gjysmë, i burgosur me dy vëllezërit e tjerë, babai ka qenë I plagosur, edhe dy djemtë e axhës i kemi pas të vrarë. Ajo nuk harrohet asnjëherë, por kjo tash me lirimin e këtij, Qeveria që e ka bë pagesën me shkue me marr kjo domethënë për banorët e fshatit Luboten, jo vetëm për ne, është një vrasje e dytë. Faktikisht kriminelin e lirojnë, unë nuk di çka të them, me lirue një kriminel. Qeveria jonë çka është në pushtet edhe e përkrah këtë, unë nuk di çka të them më shumë. Ka qenë shumë keq, unë për veti nuk mund ta paramendoj se ka qenë shumë një rast i keq, ka qenë një masakër e keqe, me vra 6 vjet fëmijë edhe prapë me u lirue, unë nuk di çka të them”, u shpreh në prill Mevludin Bajrami, familjar i viktimave. Johan Tarcullovski ishte personi i shpallur nga Gjykata e lartë ndërkombëtare e Hagës për ngjarjet e vitit 2001 në fshatin Luboten të Shkupit ku u masakruan pleq dhe fëmijë shqiptar civil të pafajshëm, që sipas analistëve duhet madje së bashku me Qeverinë tu kërkojë falje shqiptarëve, ishte kalorësi kryesor në ceremoninë në Krushevë duke mbajtur flamurin në dorë dhe i hipur mbi kalë.
Dita - Pllakë përkujtimore për masakrën e vitit 1913/Njëqind vite pas masakrës së Gjonovicës së Gostivarit, për herë të parë në formë të organizuar u përkujtuan 36 banorët e këtij fshati të cilët në vitin 1913, janë masakruar nga pushtuesit vendor dhe ata serb. Me iniciativë të banorëve të fshatit Gjonovicës, në lagjen Bigor u shpalos pllaka përkujtimore ku janë shënuar emrat e të rënëve para njëqind viteve. “Besoj se këtë shembull do ta ndjekin të gjithë vendbanimet në komunën e Gostivarit, kurse ne si komunë sa do kemi mundësi do ti ndihmojmë. Në të ardhmen edhe vetë komuna do të merr iniciativë që ti përkujtojmë të gjithë banorët të cilët janë masakruar para njëqind vitesh nëpër vendbanimet e tyre”, tha kryetari Nevzat Bejta. Kryetari i bashkësisë lokale, Nazmi Jusufi tha se Gjonovicasit janë arsimdashës, ata e çmojnë dhe përkujtojnë historikun e tyre, qoftë edhe ajo e hidhura. Për masakrën e Gjonovicës, foli Begzat Begzati banorë i fshatit cili edhe ka shkruar libër për historikun e vendlindjes së tij.