E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa Françesku: “Të mbrohet jeta gjithmonë, që nga zënia”

12-08-2013 / Gazeta 55

Jeta e njeriut duhet mbrojtur gjithmonë, që nga zënia: edhe një herë, Papa Françesku i kthehet një teme shumë të rëndësishme për Kishën Katolike. E bën këtë në mesazhin për Javën e Familjes, që u hap dje në Brazil. Pavarësisht se ajo ka karakter kombëtar, tema - “Transmetimi dhe edukimi i fesë së krishterë në familje” - ka frymëmarrje të gjerë dhe prek jetën e gjithë katolikëve. Duke kujtuar ditët e bukura kaluar me rininë e mbarë botës në Rio-de-Zhanejro, Papa Françesku u drejtohet prindërve, të cilët – nënvizon Ati i Shenjtë – kanë misionin fisnik për të qenë bashkëpunëtorët e parë të Zotit në orientimin e jetës dhe të së ardhmes të fëmijëve. Ata, këshillon Papa, duhet të synojnë në praktikimin e përbashkët të fesë në familje. Vetëm kështu mund t’i shoqërojnë vërtet fëmijët drejt pjekurisë fetare. “Prindërit – thuhet në mesazh – duhet të tansmetojnë me fjalë, por sidomos me vepra, të vërtetat themelore për jetën e dashurinë njerëzore, të cilat marrin dritë të re nga Zbulesa Hyjnore”. “Veçanërisht, para kulturës, që e bën relative jetën e njeriut – vazhdon Papa – prindërit duhet t’u transmetojnë fëmijëve vetëdijen se ajo duhet mbrojtur, që nga kraharori i nënës, duke kuptuar se është dhuratë e Zotit e garanci për të ardhmen e njerëzimit”. Por, thekson Ati i Shenjtë, është i rëndësishëm edhe kujdesi për të moshuarit, sidomos për gjyshërit, që janë kujtesa e gjallë e një populli e që transmetojnë urtinë e jetës. Së fundi, duke iu lutur Zojës së Aparesidës, Papa Françesku uron që familjet të jenë dëshmitare më bindëse të bukurisë së dashurisë bashkëshortore, mbështetur e ushqyer nga feja.
“L’ Osservatore Romano”: Papa nga Brazili i foli mbarë Kishës Katolike, duke i kujtuar se nuk mund të shikohet vetëm Evropa/Gjatë shtegtimit të tij apostolik në Brazil, Papa Françesku, duke iu drejtuar popujve e ipeshkvijve të Amerikës Latine, i foli mbarë Kishës katolike. Sigurisht, nënvizohet në një shkrim, botuar në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, shumë evropianë mund ta shikojnë këtë si deklasim të Kontinentit të Vjetër, por nuk mund të mbyllen sytë, përballë nevojës për t’iu përgjigjur globalizimit, i cili përhap kudo kulturën e leverdisë e të fitimit, krijuar nga bota perëndimore, që ka harruar se në qendër të çdo plani, synimi e veprimtarie, duhet të jetë gjithnjë njeriu. Përgjigjja katolike mund të vijë vetëm duke u radhitur përkrah viktimave të këtij globalizimi. E viktimat, natyrisht, e shikojnë botën me një sy krejt tjetër, kanë nevoja të tjera të dorës së parë e sjellin një frymë krejt të re, në një botë, që duket se po e përballon krizën ekonomike me verbëri e amulli. Përmasa botërore, nënvizon artikulli, i cili u përgjigjet shumë kritikave, që i bëhen Papës nga mjediset konservatore e tradicionaliste, rimarrë nga gazetat italiane si ‘Repubblica’ e ‘Il Foglio’, është ajo që e ka shpëtuar gjithnjë Kishën, i ka dhënë frymëmarrjen e nevojshme të mendojë për gjëra të mëdha e periudha të gjata. E kjo është e vetmja rrugë për të shpëtuar, pa humbur identitetin vetjak, nga vetëbesimi, për të cilin fajësohet kultura katolike evropiane e dhjetëvjeçarëve të fundit. Diçka e ngjashme, vijon “L’Osservatore Romano”, ndodhi edhe në kohën e Reformës, kur u zbulua Amerika e akoma, kur shtegtimet në Azi i krijuan katolicizmit, që po e humbiste një pjesë të Evropës, hapësira të pafundme ungjillëzimi. Pastaj, përsëri në shekullin XIX, kur Kisha, e goditur rëndë nga Revolucioni frëng, nga nacionalizmat e liberalizmat, nisi një jetë të re në misionet, që përhapeshin gjithnjë më shumë, falë mjeteve moderne të transportit, duke krijuar kushtet për ta dëshmuar deri në fund të fundit vëllazërimin e krishterë. Lidhur me këtë, e përditshmja e Selisë së Shenjtë kujton se, ndërsa kolonializmi mbante qëndrim racist ndaj popujve të pushtuar, Kisha Katolike u hapte më parë aziatikëve, pastaj afrikanëve, rrugën e karrierës kishtare. Si rezultat, gjatë shekullit XX, ishte i vetmi institucion, që kishte në krye të vendit përfaqësues nga të katër anët e botës. E më se një shekull më parë, ndërsa liderët perëndimorë vizitonin Francën, Anglinë a shumë, shumë SHBA-ës, Papa i ardhshëm Piu IX shtegtonte për dy vjet radhas në Amerikën jugore, duke krijuar një ide të saktë për kushtet, në të cilat jetonte kjo botë tejet e largët. Sinjali, që jep Papa Françesku, është ‘i ri’, por njëkohësisht flet për kthim a lidhje të ngushtë me të kaluarën më të lavdishme të historisë së Kishës, kur ky institucion dinte ta thithte oksigjenin me dy mushkëri, me një frymëmarrje tejet të shëndetshme e të lirë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›