Berisha e ka tredhur Shqipërinë!
Në një bisedë me djalin, unë përdora shprehjen: Berisha e ka tredhur Shqipërinë! Im bir, i rritur në mes të kryeqytetit për shumicën e jetës së tij pas 90s, më pyeti me kuriozitet: Si bëhet procesi i kastrimit? Si djalë i brezit të ri ai nuk përdor fjalë shqipe për disa terma, por i pëlqen të përdorë terminologji të huaj për të treguar shpesh se ka nivel më të lartë se unë. Mundohem shpesh tia korrigjoj këtë tendencë, por pa rezultat. Besoj se kështu ndjehen dhe shumë prindër të tjerë në lidhje me përdorimin e kaq shumë fjalëve të huaja që në shumicën e tyre janë përshtatur në mënyrë të çuditshme e tingëllojnë pak jashtë vendit kur përdoren sidomos për veshin e brezit të vjetër si puna ime. Të paktën kur bëjnë përshtatje të përdornin rregullat gramatikore shqiptare. Por le te kthehem tek problemi i tredhjes.
Pasi e mbarova bisedën me tim bir, vendosa ta shkruaj përgjigjen që i dhashë tim biri dhe tia dërgoj Temës si letër nga lexuesi, dhe kur e shkrova përdora gjithashtu fjalën kastrim (shqipërim nga ana e tim biri të fjalës castrate) për të treguar që edhe unë jam me kohën. Ju lutem lexuesve të bëjnë durim dhe ta lexojnë deri në fund këtë shpjegim të KASTRIMIT- shqip- TREDHJE:
Në të shkuarën, kur një fshatar donte ta kthente një dem të fuqishëm në buall, d.m.th thjesht në një kafshë pune, e vetmja mënyrë për ta realizuar një gjë të tillë ishte ta bënte demin të paaftë të kryente funksionet e tij biologjike të riprodhimit nëpërmjet procesit të kastrimit (Them në të shkuarën se nuk besoj se ka mbetur ndonjë fshatar në fshatrat shqiptare që e kryen më këtë proces). Fshatari i rrëgjonte organet mashkullore të demit duke e kthyer kafshën e shkretë në një kafshë shterpe dhe i hiqte të drejtën jetësore për riprodhim.
Kastrimi ishte një ceremoni ku shpesh merrte pjesë gjithë fshati. Një nga mënyrat ishte përdorimi i litarit për kastrim. I zoti i demit zgjidhte një litar nga ata të hollët, por tepër të fortë, e bënte lak dhe ja vendoste me kujdes demit në rrëzë të organeve mashkullore. Ndërkohë që demi të mos bëhej i vetëdijshëm për çka po i bëhej, fshatari ia përkëdhelte me kujdes organet që ta trulloste dhe tia shpërqendronte reflekset e vetëmbrojtjes. Pasi ishte i bindur se e kishte vënë lakun tamam në rrëzë të organeve, fshatari e tërhiqte me ngadalë litarin që demi të mos kuptonte tërësisht se çfarë po ndodhte, dhe të hidhte vickla e të shpëtonte.
Natyrisht në këtë proces përfshiheshin të gjithë burrat e fisit me kuç e me maç e sikush jepte kontributin e tij në kastrim. Gratë, për sajdisje dhe namuz, vëzhgonin nga larg pa u afruar. Disa nga burrat e mbanin demin me kujdes prej brirësh. Disa të tjerë e përkëdhelnin kafshën në kurriz me ngrohtësi; dikush e përkëdhelte në fytyrë që demi të mendonte se një ritual i shenjtë po kryhej për ta kthyer atë në një specie të veçantë (mbase ëndërronte demi i shkretë me mendjen e tij që po e kthenin ndoshta në një qenie të një niveli më të lartë). Ndërkohë, i zoti, gradualisht rriste forcën e ushtruar në qafën e organeve gjenitale, duke pakësuar kështu pak nga pak sasinë e gjakut që rridhte në to. Demi fillonte deri në një farë mase të kuptonte se diçka po i ndodhte, por i tërë procesi ishte kaq i sofistikuar sa që demi i shkretë duke kaluar në një gjendje ekzaltimi për shkak të përkëdheljeve që i bëheshin kudo sidomos në organet gjenitale, nuk ishte në gjendje më të kuptonte tërësisht rrezikun që i po i kanosej.
Ndërsa të tjerët vazhdonin ta trullosnin demin e shkretë, fshatari vazhdonte të rriste presionin në tërheqjen e litarit; laku bëhej gjithmonë e më i vogël, shtrëngimi në organet gjenitale më i fortë, dhe gjaku që depërtonte në to pakësohej gjithmonë e më shumë. Demi ndërkohë fillonte të ndjente pak më realisht se diçka po i ndodhte dhe bënte përpjekje të dobëta të herëpashershme që të ngrihej në këmbë dhe të çlirohej nga ky proces diabolik, por tashmë ndjehej pak i trullosur për të reaguar plotësisht.
Kur në subkoshiencën e tij kishte momente qartësie që e bënin të kuptonte se diçka po i ndodhte, ai bënte përpjekje të bërtiste, e të pëlliste sa gjithë bota mbarë ta dëgjonte: por jehona e zërit të tij përplasej vetëm brenda kokës së tij dhe asnjë dem tjetër që jetonte i lirë se dëgjonte dot.
Gjaku tashmë nuk i depërtonte më në organet vitale që e bënin të ndjehej mashkull, në ato organe që e bënin të ndjehej i gjallë, që e bënin të eksitohej dhe ëndërronte kur shihte një qenie të bukur të gjinisë femërore, me sy të mëdha larushë që e joshnin në një botë të bukur të jetës së lirë, ku të dy do të gëzonin të gjithë të drejtat që natyra i kishte falur si krijesa ta barabarta të këtij planeti, ku bashkë-ekzistenca duhej të ishte ligji i vetëm që duhet të sundonte, ku ata të dy do të krijonin familjen e tyre të thjeshtë e të bukur si një entitet, pjesë e komunitetit bashkëjetues, me një pasardhës njomështak që do t ju vinte rreth e qark tju lëpihej butë e ëmbël të dyve nëpër brinjë, një familje ku mirëkuptimi duhet të ishte i nënkuptuar pa qenë nevoja të ushtrohej forcë për ta zbatuar.
Kjo ishte çka i kalonte demit të shkretë para sysh në delirin ku ndodhej në ato çaste që shënonin minutat e fundit të jetës së tij si një krijesë e lirë dhe vitale.
Dhe, si të gjithë krijesat që janë në çastet e fundit para jetës së përtejshme, demi papritur ndërgjegjësohej plotësisht se çfarë po i ndodhte, mblidhte forcat e fundit që i kishin mbetur, i jepte fort vetes, ngrihej në gjunjë, tundte me forcë kokën madhështore me brirët e fortë për të cilët ishte aq krenar, dhe mundohej ti shpëtonte këtij procesi makabër që po kryhej në kurriz të tij.
Të gjithë që ishin rreth e qark mbrapseshin pak të frikësuar nga ky demonstrim madhështor i kësaj kafshe fisnike. Kjo vazhdonte vetëm për disa momente. Papritur, jo vetëm lukunia e fisit të fshatarit, që ishte mbledhur rreth demit për ta mbajtur nën fre, por edhe fqinjët, që ishin si mysafirë në ceremoni, përfshirë këtu dhe ca jabanxhinj të panjohur me ca fytyra të pështira që mbinin papritur kush e di se nga ku nga që kishin dëgjuar për kastrimin, e kishin ardhur si sehirxhinj për të parë se si ky dem i fuqishëm do kthehej në një eunuk, suleshin të tërë mbi të si egërsira te pangopura dhe e vinin nën vete demin e shkretë duke e shqelmuar, grushtuar, e disa prej tyre përdornin edhe kafshimin gjatë këtij sulmi barbar ndaj tij.
Gratë, që ndërkohë vëzhgonin nga larg, ndiheshin keq për demin e mjerë, por gjithashtu ndjeheshin të pafuqishme të reagonin. Ca nga ato, të përlotura kthenin kokën mënjanë, ca të tjera largoheshin me ngut e futeshin në shtëpitë e tyre për të mos qenë dëshmitare të aktit makabër që ndodhte para syve të tyre.
Në tokë shtrihej tashmë një dem i plogësht, një dem që i kishin vjedhur jetën, një dem që kishte ëndërruar për një jetë të bukur, një dem, që i zoti, të cilin ai, demi, e kishte dashur dhe i kishte shërbyer me besnikëri, e kishte tradhtuar, i kishte vjedhur maskilitetin, e kishte kthyer në një qënie të pavlefshme.
Rrotullonte sytë e turbulluar rreth e qark demi i shkretë duke parë me habi lukuninë e qenieve që e rrethonin dhe që e shikonin nga lart si triumfatorë, disa prej tyre, dikur fytyra të afërta e shumë miqësore për të, por që tashti për çudi shprehnin një kënaqësi të pashpjegueshme shtazarake, pothuaj sadiste në sytë e tyre, dikur njerëzore, kur e shikonin ashtu, të pafuqishëm dhe të paaftë ti qëllonte me vicklat e tij të fuqishme, dhe dallonte demi gjithashtu, disa fytyra që si kish parë ndonjëherë në jetën e tij. Në ato momente, i dëshpëruar hidhte një vështrim në drejtim të grave me shpresë se ato, me fuqinë që kishin mbi burrat mund të bënin ndonjë gjë që
