E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përzierje kabllosh

“AAK-ja vendosi ta nisë telenovelën e re, e cila ende pa u shpalosur në kapitullin e dytë, tashmë ka marrë nota negative nga AKR-ja dhe u cilësua 'qesharake' disi kalimthi nga kryeministri. Kjo parti ka premtuar se do ‘të dalë me fakte’ javën që vjen, e që do të ishte mirë të ishin diç më tepër sesa një email i ndonjë dashamiri nga Evropa Perëndimore. E takimet eventuale me Serbinë nuk mund të jenë të lidhura për tjetër gjë e që nuk është veriu... apo mbase munden... mbase, dhe sërish mbase, këtë do të na e zbulojë AAK-ja, e cila rrezikon të humbë shumë, shumë nëse i ka hyrë kësaj pune si blof".

Kjo kishte qenë një pjesë e kolumnes e javës së shkuar që i referohej paralajmërimit që kishte bërë partia opozitare për denoncimin e “të bëmave të Qeverisë”. Pos që “i kërcyen vetes në gojë”, zyrtarët e kësaj partie u bënë horë me pallavrat që i shpalosën nëpër mediume, e sidomos shefi i grupit parlamentar Gjini, i cili veç sa nuk u çua t’i rrihte gazetarët kureshtarë që ishin mbledhur të kuptonin se cilat ishin provat që i kishte paralajmëruar. Thuajse ishte faji i gazetarëve që dikush ia kishte shtrënguar vidhat disa ditë radhazi... vidhat të cilat mbase ishte dashur t’i shtrëngoheshin para se të dilte atë ditë me pompozitet dhe triumfalizëm të na tregonte se “i kishin zënë qeveritarët në flagrancë”.

Sinqerisht, pas këtij kiksi skandaloz, AAK-ja në përgjithësi, e Gjini në veçanti, vështirë se do të mund ta mbajnë çfarëdo kredibiliteti që kanë mundur ta kenë. Do të jetë shumë vështirë e besueshme se shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, tash e mbas, do të merret seriozisht kur të dalë të diskutojë në Kuvend... sepse gjithnjë do të ekzistojë dilema e ndaljes diku në gjysmë të rrugës. Për më tepër, nuk do të merret seriozisht mbase asnjë iniciativë që do ta ndërmarrë AAK-ja.

Nëse qëllimi ka qenë të dëshmohet se kjo është parti e fuqishme dhe e cila funksionon edhe në mungesë të shefit të saj, atëherë nuk do të mund të thuhej se këtë e dëshmoi. Vështirë do të mund të thuhej se me këtë paralajmërim AAK-ja ka blerë kohë dhe material për “negociata” eventuale për sigurimin e një statusi të posaçëm për Haradinajn. Kjo, për shkak se Haradinaj në Hagë është edhe atuja kryesore e ndërkombëtarëve dhe e të gjithëve për të ushtruar trysni mbi AAK-në. Duhet rikujtuar se vendimi për lirimin që të mbrohej në liri herën e parë, ishte, ndër të tjera, rezultat i garancisë së PSSP-së dhe e mosveprimit të AAK-së, përkatësisht qeverisjes tmerrësisht të komprometuar deri më 2007... ashtu siç tash do të mund të ishte letër-garancia e një ambasadori perëndimor në cilësi të qytetarit si dhe, sërish, mosveprimi i AAK-së, përkatësisht marrja me punë të anëtarësimit të numrit më të madh të të ikurve të partive të tjera.

Në vend se të merreshin me teori konspiracioni (të cilat në këtë ambient s’ka pse të mos jenë të vërteta), e që të filtronin informata me gramë dhe të lejonin që disa mediume të kenë qasje për “t’i shikuar” ca kumtesa, të cilat nuk e patën guximin t’i shpalosnin, më mirë do të ishte të merreshin fundja, nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese, me rastin e Rahovecit. Me transferimin e minutës së fundit të ish-shefit të një lëvizjeje/partie marksiste-leniniste (me ç’gjë është shumë vështirë të thuhet se partia ka orientim djathtist, me a pa qendër), AAK-ja ka pritur që do të mund t’i fitonte zgjedhjet e reja në Rahovec, të cilat do të duhej të pasonin, sipas interpretimit të Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Por jo edhe sipas mungesës së interpretimit të Zyrës së kryetarit, i cili kërkon ende sqarime, për të ditur nëse duhet shpallur zgjedhje të reja apo jo në Rahovec. Vetë jurist, me dy këshilltarë juristë përreth, dhe me mundësinë e marrjes së informatave të shpejta, se fundja është shef i shtetit, as pas pesëdhjetë ditësh nuk është në gjendje ta presë këtë punë. Ndërkohë që opinioni publik në Kosovë bëhet dëshmitar i cirkut të quajtur “demokraci në nivelin lokal”. Rasti skandaloz i Qeskës, i cili edhe para se të jepte dorëheqje kishte pasur telashe të vinte në punë, në fakt zbulon mungesën e skrupujve të kryeministrit në këtë rast. Nuk e di se me çfarë argumentesh do ta kenë apo ketë bindur Qeskën që të “shërohej” mu në ditën kur duhej shpallur zgjedhjet e reja, por nga mënyra se si ia dirigjonte fjalën, u pa se nuk ishte punë vullneti. “Mos fol kurrsen’”- ishte instruksioni që ia dha Qeskës kur ky iu drejtua gazetarëve. Nuk jam e sigurt që Qeska do ta ketë kuptuar, fillimisht ngase fjalori i gjuhës shqipe nuk e njeh këtë “kompozitë”, dhe më pas për shkak se ky foli, e foli, dhe u tregoi se ishte mirë -- “saksalem”, që do të thoshte ministri i Shëndetësisë.

Ajo që po flitet është se Qeska do të mund të detyrohej të tërhiqej përnjëmend për shkak se do të mund të shpallej i paaftë për ta kryer detyrën. Këtë do të mund ta vendoste edhe Gjykata Kushtetuese edhe pa nevojën që procedura të kalojë nëpër Qeveri. Mbase këto do të ishin arsye të mjaftueshme për kryetarin për të vendosur çfarëdo qoftë... apo mbase do të duhej ende sqarime nga Gjykata, e cila së shpejti do t’ia vendosë statusin atij vetë...

Pasojat e kësaj loje absolutisht të pakëndshme janë se Komuna e Rahovecit po udhëhiqet nga personi, të cilit ligji nuk i jep kompetencë për një gjë të tillë, apo i jep kompetencë të kufizuar (nënkryetari); në fakt, udhëhiqet nga njeriu i cili nuk e ka mandatin e drejtpërdrejtë nga votuesit për këtë post. Nga ana tjetër, ligji po shkelet nga ai që ka shpallur veten “tolerues zero” të keqpërdorimeve, ashtu siç po lejon që ligji dhe Statuti të shkelen edhe në Prizren, ku e ka humbur shumicën, për shkak të përçarjeve brenda partisë së tij. Përderisa për Prizrenin ka një milion arsye ta shtyjë punën me gjoks, sepse gjatë fushatës më shumë kohë qëndroi atje sesa në zyrë të veten, nuk po di cilat janë arsyet që të mbajë pushtetin në Rahovec... A thua do të mund të ishte vjelja e rrushit, ku me aq zemërgjerësi i ftoi që të gjithë...

Katund që shihet kallauz nuk do – Rahoveci është shembull eklatant i përzierjes së trupave qendrore në organizmat e decentralizuar dhe ekzistojnë mekanizma kushtetues për ta zgjidhur problemin, madje as pa pasur nevojë që t’i qasen ICO-s. Të flasësh në formë të papërcaktuar “për tri shtete perëndimore dhe një të rajonit” dhe për “një numër të caktuar këshilltarësh e deri te kryeministri” nuk mjafton për të dëshmuar asgjë. Në fakt, mjafton që t’ia fusësh vetes një autogol ose që eventualisht ta ndërrosh shefin e Grupit parlamentar, e që gafën politike t’ia veshësh atij e jo udhëheqjes së partisë, si formë “elegante” e heqjes së therrës që ia ke ngulur vetes në këmbë.

Koha për t’i çpërzier kabllot...

flaka@koha.net

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›