E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet e fushatave elektorale

Kosova është nëna e „vakive“. Gjërat që ndodhin në vendin tonë zor e ke t’i gjesh në vendet e zhvilluara të botës. Të Evropës jo se jo. Si ka mundësi që edhe ndaj tempujve më të lartë të shkencës dhe të diturisë të sillemi me kaq papërgjegjësi për të mos thënë të keqpërdoren kaq shumë  për interesa të ngushta partiake e personale. Më konkretisht për fushata elektorale të partive që janë në pushtet apo edhe të atyre që synojnë ta marrin pushtetin. Si ka mundësi të themelohet një universitet sot e një tjetër nesër pse i teket dikujt të premtojë gjatë fushatës elektorale? Nga ato që shihen për çdo ditë në ekranet e televizioneve tona bëhet e qartë se çështja e universiteteve është bërë më tepër se „bozë“. Si ka mundur të hapen universitete publike dhe private kaq shumë dhe pa asnjë strategji të nevojave që ka Kosova për
”fakultetli“ të tillë? Më sa jam i informuar unë deri tani as Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, as ndonjë institut i specializuar që nuk ekziston në Kosovë, as ndonjë ekspert i kësaj fushe, nuk kanë bërë publik ndonjë studim serioz e faktografik lidhur me nevojat që ka Kosova për formimin e ekspertëve të fushave të ndryshme me arsimim të lartë. Rrjedhimisht asnjë institucion shtetëror nuk e di saktë sa ekonomistë, sa mjekë, sa juristë e kështu me radhë i duhen Kosovës sot, e sa ta zëmë pas dhjetë vjetësh. Kjo garë për hapjen e universiteteve për ”hatër” të votave gjatë fushatave elektorale kaherë e ka tejkaluar vijën e kuqe dhe për habi askush nuk e vë gishtin në kokë  për një gjë të tillë. Kush duhet ta merrte përgjegjësinë nëse Kosovës pas një dekade mbesin rrugëve të papunë mijëra ekonomistë, juristë, mjekë, inxhinierë, arkitektë, mësues e tjerë?! Nga ana tjetër dihet se numri i madh i studentëve asnjëherë nuk e garanton kualitetin e nevojshëm, sepse edhe shtetet më të zhvilluara nuk kanë mundësi të mjaftueshme financiare të krijojnë kushte optimale për hulumtime e studime të mirëfillta shkencore. Në fund të fundit, për studime nuk ekziston as dëshira e shumë nxënësve, as shkalla e inteligjencës të një pjese të madhe prej tyre, e as  niveli social.
Këtyre kategorive dosido u imponohen studimet. Një gjë e tillë ndodh vetëm në Kosovë, pasi që autoritetet tona, së paku deri në këtë moment,  fare nuk e kanë qarë kokën për themelimin e shkollave profesionale në çdo komunë kur dihet se kostoja e tyre është shumë më e lirë, e nevojat janë shumë më të mëdha dhe më urgjente për shtetin e ri të Kosovës. 
Nëse Kosova vazhdon me këtë temp të prodhojë kuadro pa asnjë kriter dhe strategji afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë, pasojat do të jenë të paparashikueshme, ndërsa çmimi do të jetë tepër i lartë për shtetin e Kosovës. Numri dhe kuantiteti i studentëve nuk e përcaktojnë në asnjë mënyrë emancipimin e një vendi. Nëse studentët kosovarë nuk aftësohen ta përballojnë tregun evropian, atëherë çfarë kuptimi ka nëse ata që e mbarojnë një fakultet mbesin me diploma provinciale të një universiteti lokal që nuk e njeh askush në botë? Përse askujt s’i shkon ndërmend që një ditë Universiteti i Prishtinës të bëhet  emër i njohur ta zëmë siç është Universiteti i Zagrebit, Universiteti i Harvardit, Universiteti i Lozanës, Universiteti i Romës, Universiteti i Parisit e shumë të tjerë, diplomat e të cilëve janë të besueshme dhe pranohen kudo në botë, dhe  ku kërkesat e studentëve të huaj për të studiuar aty janë jashtëzakonisht të mëdha?
Në kohën e globalizimit, kur konkurrenca është jashtëzakonisht e madhe, çfarë kuptimi ka ta kesh një diplomë të Universitetit të Prizrenit, Gjilanit, të  Mitrovicës, nesër të Pejës apo  të atyre universiteteve të shumta komerciale private? Ta zëmë Zvicra që ka tri herë banorë më shumë se Kosova, që i ka 26 kantone, të cilat në fakt janë minishtete dhe me një buxhet financiar vetëm të një kantoni njëzet herë më të madh se tërë  buxheti i Kosovës, të një komune me banorë sa Prizreni me një buxhet tridhjetë herë më të madh, me një ekonomi komunale pesëdhjetë herë më të zhvilluar me ku ta dimë sa herë më shumë kuadro profesionale dhe me një traditë shtetërore  shtatëqindvjeçare, ka gjithsej pesë universitete dhe dy shkolla të larta politeknike në pesë kantonet më të zhvilluara. Sot Kosova ka disa herë më shumë universitete dhe rrjedhimisht studentë sesa Zvicra në rastin konkret!
Nuk di sa janë të vetëdijshme autoritetet tona arsimore për koston e këtyre universiteteve dhe sidomos nuk di nëse është bërë ndonjë analizë e thellë cilat do të jenë në fund të fundit efektet dhe nevojat e tregut kosovar dhe atij evropian për këso kuadrosh. Jam i sigurt se as autoritetet e MASHT-it dhe as autoritetet komunale ta zëmë ato të Prizrenit  apo të Gjilanit nuk kanë ndonjë plan të caktuar lidhur me nevojat që ka kjo komunë për ekspertë të fushave të ndryshme. Ata vetëm mund ta dinë momentalisht sa persona me diploma fakulteti konkurrojnë për një vend pune, qoftë ai edhe jashtë nivelit profesional të tyre!
Në këtë kuadër shtrohet pyetja përse Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk ka bërë asnjë përpjekje për hapjen e shkollave profesionale që janë shumë më pak të kushtueshme dhe shumë më tepër të nevojshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe depërtimin e këtyre kuadrove profesionale në tregun  evropian të punës. A janë të vetëdijshme autoritetet kompetente të arsimit se Kosovës i mungojnë kuzhinierët profesionistë, shitësit e fushave të ndryshme profesionist, ndërtimtarët profesionistë, elektricistët profesionistë, ujësjellësit profesionistë, saldatorët profesionistë, kamerierët profesionistë, mekanikët profesionistë, bujqit profesionistë, blegtorët profesionistë e deri te pastruesit profesionistë që kryejnë shkolla profesionale tri dhe katërvjeçare në shtete e Bashkimit Evropian. Në shtetet e zhvilluara ku punohet me plan dhe me strategji zhvillimore çdo komunë e ka planin e saktë sa punëtorë i duhen në vit dhe të cilave profile. Në përputhje me këtë hapen shkolla profesionale. Edhe ndërmarrjet e mëdha ekonomike kanë shkollat profesionale, në të cilat përgatisin kuadro për nevojat e tyre afatgjata. Si mundet Kosova t’i përballojë tregut evropian me këtë amatorizëm që ka në çdo fushë të jetës zhvillimore dhe me këtë lëmsh universitetesh që veprojnë pa kurrfarë mbikëqyrjeje profesionale? Një anarki e tillë e arsimit universitar aktualisht po u shkon për shtati vetëm profesorëve që marrin rroga apo honorare të majme dhe japin nota për të siguruar studentë sa më tepër për vitin vijues. Disa prej tyre janë bërë edhe të neveritshëm nëpër spotet e reklamave të universiteteve private, të cilat përpiqen me çdo kusht të thithin “studentë” sa më tepër dhe të bredhin nga një “universitet” në tjetrin për honorare.
Në kohën kur edhe universitetet më të njohura të botës përpiqen ta forcojnë prestigjin e tyre me cilësinë e studimit, qoftë edhe në garat për kërkime e zbulime shkencore, në Kosovën e vogël ka filluar një maratonë e hapjes së universiteteve publike dhe private pa ndonjë kriter a nevojë të veçantë. Në këtë mënyrë po rrënohen edhe vlerat e Universitetit të Prishtinës, si cili sado kudo kishte bërë një traditë dhe kishte nxjerrë kuadro të profileve të ndryshme që së paku brenda Kosovës kanë bërë emër dhe kanë gëzuar respekt. 
Krejt në fund dua të theksoj se qëllimi i këtij shkrimi është t’u tërhiqet vëmendja autoriteteve të MASHT-it për hapjen e shkollave profesionale, sepse edhe në vendet më të civilizuara, më të zhvilluara ekonomike dhe me një standard shumë të lartë të jetës, jo të gjithë nxënësit që kryejnë shkollimin fillor apo të mesëm duhet patjetër të regjistrohen në fakultete. Kjo domethënë se qysh në shkollën fillore nxënësit duhet të profilizohen dhe të kategorizohen për shkollimin e mëtutjeshëm. Në këtë rrafsh duhet të bëhen reforma të thella, duke filluar nga arsimi fillor, ai i mesëm dhe pastaj ai i larti, meqë sipas praktikave të deritanishme del se shkolla e të gjitha niveleve në Kosovë në esencë ende po vuan nga mbeturinat e sistemi të vjetër socialist në rrethanat e reja që janë krijuar. Me sa duket këto reforma do të arrihen më së miri bashkë me krijimin e një mentaliteti ti ri, të gjeneratave të reja që nuk vuajnë nga komplekset e ndryshme dhe të cilat në fakt politikën e kuptojnë si profesion e jo si garë fushatash elektorale për qëllime luksi e privilegjesh. Që të arrihet kjo ende duhet kohë e gjatë, e Kosovës i duhet të ecë me hapa më të shpejtë për t’i zënë  trendet e larta  zhvillimore me të cilat sot po ecën bota e
zhvilluar në të gjitha fushat e jetës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›