Pesë ditë përballje me flakët, zjarrfikësit luftojnë me vatrat në Mallakastër

Vijojnë të jenë aktive disa vatra zjarri në Mallakastër, ku prej pesë ditësh zjarrfikësit po përballen me flakët në zonat pyjore të Ribanit dhe Drenies. Situata mbetet e vështirë për shkak të terrenit dhe erës së fortë, e cila gjatë orëve të pasdites favorizon përhapjen e flakëve dhe vështirëson punën e ekipeve në terren.
Aktualisht, zjarrfikësit po ndërhyjnë nga toka për izolimin dhe shuarjen e vatrave në zonat e Drenies, Greshicës, Vloshit dhe Panahorit, ku zjarri vijon të jetë aktiv në disa pika.
Ekipet zjarrfikëse po punojnë për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbajtur nën kontroll vatrat, ndërsa kushtet atmosferike, veçanërisht forcimi i erës gjatë pasditeve, e bëjnë ndërhyrjen më të vështirë. Prej pesë ditësh, forcat zjarrfikëse vijojnë përpjekjet për shuarjen e zjarrit, me fokus kryesor izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së tyre në sipërfaqe të reja pyjore.
/rtsh.al/