E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë fëmijë jetimë lihen në mëshirë të fatit

FATKEQËSIA. Jetimët kanë fituar të drejtën e tyre me vendim gjykate, por ai nuk është zbatuar nga komuna


Pesë fëmijë nga komuna e Levanit të Fierit me statusin e jetimit, pasi nëna iu ka vdekur, i bëjnë thirje shtetit që t'u japë të drejtat që u takojnë sipas statusit të jetimit. Është pikërisht Shpresa Gecaj, vajza më madhe e katër motrave dhe një vëllai, i cili është gjysmë i verbër dhe ka statusin e të verbrit që flet në emër të tyre pasi sipas saj çdo ditë jeta për ta po bëhet më e vështirë.


Por hallet e Shpresës nuk kanë të sosur. Asaj i është dhënë një burse e plotë nga shteti për të marrë çdo muaj nga 60 mijë lekë derisa të mbarojë shkollën, por sipas saj, kjo ka mbetur vetëm në letër pasi komuna nuk i ka dhënë leket sipas ligjit në të tilla raste.


Ajo vazhdon gjimnazin dhe këtë vit të ri shkollor do të vazhdojë vitin e dytë, por rrezikohet pasi lekët e burses qysh nga viti i parë i gjimnazit sipas statusit të jetimit ende nuk i ka marrë nga komuna. Kjo çështje është çuar në gjykatën e rrethit gjyqësor Fier dhe Shpresa e ka fituar gjyqin.


Fjala është për 720 mijë lekë të vjetra. Kjo e fundit detyron komunën që t'i japë lekët kësaj vajze, por ajo nuk është zbatuar, rrëfen adoleshentja. "Kemi shkuar disa herë në komunë me vendimin e gjykatës, por këtë vendim nuk na e pranojnë me pretendimin se nuk ka lekë financa",- rrëfen Shpresa.


Prindërit e saj me nënë njerkë dhe pesë fëmijët jetojnë në një varfëri të tejskajshme dhe jetojnë me një asistencë prej 67 mijë lekësh të vjetra. Këtë gjendje të familjes së saj e dinë të gjithë pushtetarët deri deputetet. Sipas Shpresës, ata kanë parë nga afër edhe gjendjen ekonomike të familjes, si dhe shtëpinë ku banojnë. "Na premtuam se gjithçka do të rregullohet, deri edhe te blerja e shtëpisë.


Por me sa duket, - vijon më tej vajza, - këto ishin vetëm premtime pasi qysh atë ditë, prej më shumë se një viti, ata nuk janë dukur më. Ne po vuajmë për bukën e gojës pasi edhe prindërit janë sëmurë, sidomos babai, që është i sëmurë psikik".


Ndërkohë në kushtet ku jeton familja e Adem Gecajt vajza e tij e madhe kërkon ndihmën e shtypit pasi e ka humbur besimin e shtetit. Në lulishten e qytetit të Fierit para institucionit të bashkisë para gazetarëve së bashku me motrën Emirjetën dhe babanë e saj të sëmurë, ajo i kërkon shtetit që t'i përgjigjet statusit të jetimit, t'i jape atë që i takon.


Ajo shprehet se në adresë të familjes së saj kanë ndihmuar donatorë të huaj dhe vendas me të holla por deri më sot ata nuk kanë marrë asnjë lek. Sipas statusit të jetimit fëmijëve u takon veshmbathje, ushqime, strehim, shkollim, por asgjë nga këto nuk është përfituar.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›