Prokuroria: Kallëzimet e KLSH e doganave të mangëta
TIRANË- Kallëzimet e dorëzuara në prokurori nga Kontrollit i Lartë i Shtetit (KLSH) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në shumë raste janë të pa plota dhe të pa bazuara në ligj, çka ka bërë që shumë prej tyre të pushohen ose të vendoset mos fillimi i hetimeve.
Ky është konkluzioni në të cilin zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme kanë dalë pas analizimit të punës 6- mujore të njësive të përbashkëta hetimore të Task- Forcës në vend. Lajmi konfirmohet nga burimet të akuzës, të cilët kanë analizuar rezultatet e punës 6- mujore të njësive të Task-Force në Shqipëri.
Sipas burimeve, kallëzimet e deponuara në prokurori nga zyra ligjore e KLSH-së dhe ajo e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, kanë mangësi ligjore në përpilimin e tyre.
Pasi nuk bazohen në parametrat e parashikuara në ligj, por vetëm me shifra ekonomike. Kjo vjen për shkak se auditet (kontrollet) bëhen vetëm nga ekonomistë dhe jo juristë.
"Në 6 muajt të parë të këtij viti, në njësinë e Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës, Drejtoria e Doganave ka dorëzuar rreth 30 kallëzime penale për subjekte e individë të ndryshëm.
Nga këto kallëzime, rreth 70 % e tyre janë pushuar apo nuk ka nisur procedimi, pasi kanë mangësi ligjore, dhe janë depozituar vetëm për të justifikuar kontrollet e brendshme,-thanë burime të prokurorisë. Sipas tyre, doganat përveç pabazueshmërisë në ligj i depozitojnë ato me vonesë me qëllim që t'iu kalojë edhe afati.
"Nga kallëzimet e pushuara dhe të pa filluara Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në 10 raste ka ankimuar vendimet e pushimit të prokurorisë në gjykatë, dhe në të gjitha rastet kjo e fundit ka lënë në fuqi vendimet e pushimit të prokurorëve,- thanë burimet. Për zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme, nuk është më mirë as KLSH-ja, shumica e kallëzimeve të të cilës, mund të shihen si probleme administrative e jo penale.
"Nga verifikimi i të dhënave 6- mujore, ka rezultuar se KLSH-ja ka sjellë në prokurori rreth 20 kallëzime penale, për të cilat në shumicën e rasteve duhet të merren masa administrative dhe jo penale. Për këtë shkak shumica e kallëzimeve u pushuan,- thanë burimet. Shumica e kallëzimeve përmbajnë vetëm shifrat ekonomike dhe jo bazën ligjore veprën që dyshohet se ka kryer subjekti.
Pak muaj më parë, drejtuesit e KLSH-së dhe ILDKP-së lëshuan akuza në drejtim të Prokurorisë, për pushimet e kallëzimeve të tyre. Kryeprokurorja Ina Rama në raportin vjetor të punës së Prokurorisë i u përgjigj:.
"Dosjet e KLSH-së kanë parregullsi ligjore dhe hartohen nga ekonomistë e jo nga juristë. Të gjitha rastet e pretenduara për të cilat ka dyshime për pushimet e dosjeve nga ana e prokurorisë janë dërguar në gjykatë, ku edhe janë rrëzuar, -shkruhej në raportin vjetor të Prokurores së Përgjithshme.