Pesë ushtarë britanikë akuzohen për vrasje në Afganistan
Pesë ushtarë të Marinës Mbretërore Britanike janë akuzuar për vrasje në lidhje me një incident të ndodhur në Afganistan vitin e kaluar. Sipas BBC, kjo është hera e parë që ushtarë britanikë arrestohen dhe akuzohen në Afganistan. Marinsat u arrestuan nga Policia Ushtarake Mbretërore pas zbulimit të një videoje të dyshimtë në kompjuterin portabël të njërit prej tyre. Sekretari britanik i Mbrojtjes, Filip Hamond, nuk ka komentuar mbi çështjen, duke theksuar se Ministria e Mbrojtjes është e vendosur të zbatojë rregullat e luftës. Mijëra trupa britanike do të tërhiqen nga Afganistani vitin e ardhshëm.