Peshëngritje, Maida Lozi kampione e Evropës U-17, dy medalje ari dhe një argjendi

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Shqipëria ka regjistruar një tjetër sukses në peshëngritje, me sportisten Maida Lozi që është shpallur kampione e Evropës në turneun për moshat U-17, të zhvilluar në Prishtinë.
Lozi garoi në kategorinë e peshave deri në 77 kilogramë, duke fituar dy medalje ari dhe një medalje argjendi.
Sportistja shqiptare e nisi garën në stilin e shkëputjes, ku realizoi me sukses të trija provat, respektivisht me 82, 85 dhe 87 kilogramë. Rezultati i siguroi medaljen e artë në këtë stil.
Në stilin e shtytjes, Lozi gaboi provën e parë me 101 kilogramë, por u rikuperua menjëherë duke realizuar me sukses dy provat pasuese, me 101 dhe 105 kilogramë, duke fituar medaljen e argjendtë.
Me rezultatin 192 kilogramë në dygarësh, peshëngritësja shqiptare fitoi medaljen e artë dhe titullin kampion të Evropës në kategorinë e saj.
Ky sukses vjen pas punës së zhvilluar nga sportistja nën drejtimin e trajnerit të saj, Ervis Tabaku, dhe trajnerit të ekipit kombëtar të të rinjve, Florenc Çela.
Me paraqitjen e Lozit, bilanci i medaljeve të Shqipërisë në këtë aktivitet pasurohet më tej, pas tri medaljeve të fituara nga Antonino Mullisi, një të artë, një të argjendtë dhe një të bronztë, si dhe dy medaljeve të bronzta të fituara nga Esmond Marku.
/gj.m/r.e/