Peshk a qen?

Me këtë privatizim, Kosova po bëhet sikur ai peshku te romani Plaku dhe Deti i Hemingway-it: një peshk i madh por që nuk do ta sjellësh dot në breg. Peshkaqenët e shumtë rreth e rrotull vetëm skeletin kanë për tia lënë. Tepër gjatë ka hequr e është munduar populli ynë porsi plaku i Hemingway-it. Nuk duhet ta pranojmë epilogun e njëjtë, nuk duhet të lejojmë që gjithçka të përfundojë te peshkaqenët
Nga Albin Kurti
PTK-ja është sikur ajo pula që bën vezë të
arta. Por, pronari i saj, Qeveria e Kosovës, ka vendosur që ta shesë pulën. Nuk
është dakord që ti shesë eventualisht vetëm vezët e arta. Kush përfiton nga
kjo shitje? Qeveritarët gjithsesi, Kosova kurrsesi.
Gjysmë miliard euro të fondit të privatizimit vazhdojnë të mbesin jashtë
vendit. BQK-ja si klient i bankave jashtë vendit ku këto para janë, nuk do që
ti kthejë ato mjete në Kosovë. Shefi i ICO-së, Pieter Feith, pat deklaruar që
ky fond duhet të mbetet jashtë vendit për shkaqe të sigurisë. Ndërkohë, pikërisht
vendet perëndimore ku ndodhen paratë e Kosovës i kishte kapluar kriza
financiare globale, ndërsa bankat e huaja në Kosovë vazhdojnë të kenë vetëm 4%
kredi të këqija.
Pse ky privatizim na qenka i domosdoshëm? Pse duhet shitur ndërmarrjet publike
ose shoqërore? Pse edhe atëherë kur ato janë fitimprurëse e të suksesshme? Pse
po e zhdukin të përbashkëtën e qytetarëve? Pse ky sulm mbi publikun dhe
shoqërinë, mbi pasuritë publike e shoqërore? Pse bëhet privatizimi para
dekolonizimit (gjë që i mundëson Serbisë hise në Kosovë)? Pse Kuvendi i Kosovës
nuk e miraton ligjin për dekolonizim para çfarëdo privatizimi? Pse duhet
vazhduar me privatizimin përkundër mbetjes së mjeteve të deritanishme të
privatizimit jashtë vendit? Pse pa i futur ato në zhvillim njëherë? Pse duhet
privatizuar pasuria pa e pasur njëherë planin zhvillimor afatshkurtër,
afatmesëm e afatgjatë? Pse duhet privatizuar pa e regjistruar njëherë tërë
pasurinë tonë tokësore e nëntokësore, pa e ditur paraprakisht se sa të pasur
jemi saktësisht? Pse duhet privatizuar përderisa nuk jemi sovranë, dhe në
mungesë të integritetit territorial? Pse nuk ka kurrfarë debatesh për këto
privatizime? Pse nuk parashihet referendumi gjithëpopullor për pasuritë
kapitale? Pse Kosova si vendi më i varfër në Evropë duhet privatizuar resurset
e saj, në kohën kur vendi më i pasur në botë, ShBA-ja, e merr nën kontroll
industrinë e vet?
Këto pyetje, dhe shumë të tjera, nuk kanë përgjigje për shkak se, para së
gjithash, janë pyetje të ndaluara. Pse, kur, qysh dhe çka të privatizohet nuk
lejohet të diskutohet në Kosovë. Sepse, gjithçka duan ta privatizojnë sa më
shpejtë, dhe për pasojë, sa më lirë. Për çështjet madhore ekonomike, në Kosovë
lejohen diskutime e polemika pas marrjes së vendimeve kryesore, jo para tyre.
Dhe mandej këto lloj debate shërbejnë zakonisht si legjitimim posteriori i
vendimeve të marra e jo kontribut në cilësinë e vendimeve që duhet të merren.
Prandaj nuk është e rastësishme që i gjithë problematizimi i privatizimit
konsiston në (mos)transparencën e tij. Vetëm kaq lejohet dhe vetëm kaq ka
kuptim në një situatë kur vendimet tashmë janë punë e kryer. Jo vetëm që i
shesin ndërmarrjet e Kosovës, por duan ta shesin edhe lajmin për këtë si një
çështje të mirë për Kosovën.
Gabimisht dhe me keqdashje privatizimi konsiderohet si e vërteta e dëshmuar e
organizimit dhe planifikimit të ekonomisë. Gabimisht dhe me keqdashje zhvillimi
ekonomik në Kosovë është paraqitur si zhvillim i privatizimit.
Hajnitë e politikanëve janë suplement dhe produkt i privatizimit. Nëse është e
lejueshme që pasuria e Kosovës ti jepet për pak para një njeriu privat, nëse
ajo që është e të gjithëve bën që të bëhet e ndonjërit, atëherë politikanët
kollaj kalojnë në anën e këtij ndonjëri privat. Popullsia e varfëruar dhe
disa klane të pasuruara janë dy anët e së njëjtës monedhë të transicionit që e
shënon privatizimi. Lufta na e shkatërroi pasurinë kurse privatizimi po e tret
atë që na mbeti. Privatizimi është luftë kundër shoqërisë me mjetet tjera.
Midis popullsisë së varfëruar dhe gjithnjë e më të varfër dhe disa privatistëve
të pasuruar dhe gjithnjë e më të pasur, politikanët me lehtësi dhe shpejtësi
përfundojnë te grupi i dytë meqenëse politikisht dhe juridikisht ata janë bërë
facilitatorët e këtij procesi që varfëron shumicën dhe pasuron pakicën.
Privatizimi i këtillë është plaçkitje e pastër e asaj që trashëguam nga brezat
paraardhës dhe asaj që do të duhej tua lëmë trashëgim brezave pasardhës.
Përgjegjësia e Qeverisë për këtë shpronësim final të shoqërisë nuk është vetëm
aktuale por edhe historike ajo e tejkalon gjeneratën tonë. Kjo që kemi nuk e
krijuam vetëm ne dhe nuk na takon vetëm neve. Ne jemi ardhmëria e brezit që
shkoi pikërisht duke iu falënderuar atij brezi. Është në dorën tonë që tia
mundësojmë ose pamundësojmë ardhmërinë brezit që do të vie.
Zërat që thonë se duhet ti shesim ndërmarrjet meqë ne nuk kemi kapacitete
menaxhuese dhe kuadro të afta, janë shprehje e racizmit ndaj neve vendësve.
Niveli i pakënaqshëm arsimor i shqiptarëve nuk është pasojë e karakterit të
shqiptarëve, por e sistemit të shkollimit. Shqiptarët që janë në diasporë nuk
janë më të dobët në mësime se bashkëmoshatarët e tyre perëndimorë. Fundja, nëse
na mungon ndonjë ekspert, atëherë e marrim në punë dikë nga jashtë, por skemi
pse i shesim pasuritë. Ose, le ti dërgojmë njerëzit në shkollim a trajnim
jashtë vendit për hir të profesionalizmit dhe ekspertizës, por le të mos i
shesim ndërmarrjet tona.
Industria e pakët e mbetur është industri ekstraktuese e jo përpunuese, madje
në përmasa shumë më të këqija sesa në kohën e ish Jugosllavisë kur në Kosovë
protestohej me parullën Trepça punon, Beogradi ndërton. Feronikeli sot është
gjithsesi shembull i eksploatimit neokolonial: është shitur fare lirë, i jepet
energji elektrike pa kufizim nën çmimin e importit, e bile edhe nën atë të
prodhimit, ndërkohë që Kosova importon mallra të prodhuar nga lënda e parë e
nxjerrur në Kosovë.
Me këtë privatizim, Kosova po bëhet sikur ai peshku te romani Plaku dhe Deti i
Hemingway-it: një peshk i madh por që nuk do ta sjellësh dot në breg.
Peshkaqenët e shumtë rreth e rrotull vetëm skeletin kanë për tia lënë. Tepër
gjatë ka hequr e është munduar populli ynë porsi plaku i Hemingway-it. Nuk
duhet ta pranojmë epilogun e njëjtë, nuk duhet të lejojmë që gjithçka të
përfundojë te peshkaqenët.
EULEX-i sigurisht që nuk e kishte asnjëherë ndërmend që ta kap kurrfarë peshku
të madh prej politikani të rëndësishëm e të korruptuar. Ka diçka prej qeni e
jo peshku te ata politikanë. Peshku i madh është vetë Kosova.