Peshkopi i afërt me Papën akuzohet për keqtrajtim të jetimëve
Një nga aleatët më të ngushtë konservatorë të Papës në Gjermani, peshkopi Valter Mixa është akuzuar së fundi për rrahje dhe kamxhikim të fëmijëve, të cilët ndodheshin nën kujdesin e tij. Peshkopi 68-vjeçar, i ka mohuar akuzat që i janë bërë nga ish-nxënës të jetimores katolike në të cilën ai shërbente. Gjithsesi, janë akuza që do t’u shtohen të tjerave në lidhje me keqtrajtimet dhe abuzimet seksuale të priftërinjve katolikë ndaj shumë fëmijëve, kryesisht jetimë me të meta fizike dhe të pambrojtur. Kjo akuzë e fundit, sigurisht që do të jetë edhe një shkak më shumë për t’u shqetësuar për krerët e lartë të kishës katolike në Vatikan. Peshkopi Mixa është pjesë e një aksi konservator në vendlindjen e Papës, Bavari. Këta njerëz e kanë mbështetur vazhdimisht Racingerin në të gjitha vendimet e rëndësishme që ka marrë, bëhet fjalë për vendime që kanë ngjallur polemika të tilla si kritikat ndaj islamizmit në katedralen e Regensburgut, rehabilitimin e peshkopit skeptik për holokaustin, Ricard Williamson e të tjera vendime të tilla. Edhe pse nuk ka akuza për abuzime të natyrës seksuale në jetimoren ku ka shërbyer Mixa nga vitet 1970 deri në vitet 1980, është e qartë se ai ndodhet në telash. “Njëherë ai mori një shkop prej druri dhe më qëlloi fort derisa shkopi iu thye”, rrëfen një nga akuzuesit ish-nxënës në këtë jetimore, që aktualisht është 41 vjeç. “Më pas ai përdori dorën dhe ndërsa më rrihte më ulërinte në vesh: merre këtë dënim fëmijë i Zotit. Unë do të ta nxjerr Satanain që mban brenda”. Sipas dëshmitarit, gjithmonë rrahjet ishin të rregullta dhe shumë brutale. “Të paktën 50 herë Mixa më uli poshtë pantallonat dhe më rrahu në këmbë me shkop”, ka vazhduar dëshmitari. Tashmë ai është vetë mësues dhe nuk ka preferuar që të dëshmojë me emrin e vet real, por akuzues të tjerë kanë pasur guximin që të flasin me emrat e vërtetë. “Për mua ishte e tmerrshme të shihja se si Papa promovoi në detyrë një person si Mixa, i cili u bë peshkopi i Augsburgut”, deklaron një tjetër dëshmitar. Edhe ai ka kujtime të dhimbshme rrahjesh e keqtrajtimesh nga ana e të akuzuarit. Sipas të gjithë dëshmitarëve, prifti i mbështetur edhe nga murgeshat kishin krijuar një klimë frike në jetimore. Sipas tyre, të gjitha goditjet bëheshin në vende jo të dukshme të trupit që të mos linin shenja dhe prova. Jetimorja ndodhej në një fshat dhe akuzat ndaj Mixas u bënë publike vetëm kur atij iu dha detyra e lartë e peshkopit. Ndërkohë, peshkopi nga ana e tij, duke mohuar çdo akuzë ka deklaruar se do të ndërmarrë veprime ligjore për të mbrojtur reputacionin.
#