Bujar Bukoshi rikthehet në qeveri

Ish-kryeministri në ekzil i Kosovës në periudhën 1992-1999 rikthehet në qeveri, por kësaj here duke pasur shef ish-rivalin e vjetër politik, Kryeministrin Hashim Thaçi. Bëhet fjalë natyrisht për mjekun me profesion, Bujar Bukoshi, i cili që sot do të jetë më afër profesionit të tij primar, në postin e ministrit të Shëndetësisë së Kosovës.
ThaçiKa ndodhur më në fund ndryshimi i madh i kabinetit “Thaçi”, i cili ka ndryshuar gjashtë ministra. Konkretisht janë larguar: ministri i Brendshëm, Zenun Pajaziti(PDK), ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi(LDK), ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi(LDK), ministri i Kulturës, Valton Beqiri(LDK), Arsim Bajrami(PDK), ministri i Administratës Publike dhe Idriz Vehapi(PDK), ministri i Bujqësisë. Në një konferencë për shtyp që ka mbajtur dje në mbrëmje, Kryeministri Thaçi ka deklaruar emërimin e ish-Kryeministrit Bajram Rexhepi(PDK) në postin e ministrit të Brendshëm, Edita Tahiri(PDK) emërohet ministre e Administratës Publike, Bujar Bukoshi(LDK), ministër i Shëndetësisë), Haki Demolli(LDK), ministër i Drejtësisë), Blerand Stavileci(PDK) ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Lutfi Haziri(LDK) ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve) dhe Besim Beqaj (PDK) ministër për Integrime.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka miratuar dje tre emrat që do të zëvendësojnë disa nga ministrat aktualë të qeverisë së koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së, duke larguar “pëllumbat” me “skifterë”. Kryesia e LDK-së ka emëruar tre nga politikanët e vijës së parë për t’i vendosur në qeveri, si një tentativë për të ngritur autoritetin e partisë së rënë nga humbja e dy zgjedhjeve të njëpasnjëshme, ato të përgjithshmet në vitin 2007 dhe ato lokale të nëntorit të vitit të shkuar, por që zgjatën deri në muajin e kaluar. Në mbledhjen e djeshme, kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka vendosur që të largohen tre ministrat aktualë: E Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, i Shëndetësisë, Alush Gashi dhe i Kulturës, Valton Beqiri, të cilët do të zëvendësohen nga Bujar Bukoshi, aktualisht deputet i LDK-së, i cili emërohet ministër i Shëndetësisë. Ish-zv/kryeministri në qeveritë Haradinaj dhe Kosumi, Lutfi Haziri, emërohet në postin e ministrit të Kulturës, ndërsa, Haki Demolli emërohet në postin e ministrit të Drejtësisë. Anëtari i kryesisë, Sali Asllanaj, ka qenë ai që e ka komunikuar vendimin e partisë për ministrat. Sipas tij, vendimi është marrë me shumicën e votave të anëtarëve të Kryesisë. Në një komunikim tjetër për media, dy nënkryetarët, Eqrem Kryeziu dhe Lutfi Haziri, kanë thënë se LDK-ja po përpiqet të sjellë një frymë të re qeverisjeje, duke luftuar korrupsionin. Kryeziu, duke folur për performancën politike të LDK-së, theksoi se përfundimisht Kryesia e LDK mori vendim dhe shpreh gatishmërinë për të bërë ndryshime të nevojshme në qeverinë e Kosovës, pavarësisht se për cilin ministër bëhet fjalë. Kjo, sipas tij, me kusht që të "përmirësohet perfomanca e qeverisë", dhe "duke pasur parasysh integrimet europiane, kërkesat që ka BE ndaj Kosovës, veçanërisht luftën kundër korrupsionit dhe dukurive të tjera". “Asnjëri nuk do të ngulë këmbë apo do të hidhërohet nëse largohet”, tha nënkryetari i LDK-së. Në lidhje me zërat se në mbledhje ka pasur mospajtime, Kryeziu e mohoi këtë duke thënë se absolutisht të jetë "shumë i kënaqur me mbledhjen". Ai tha se nuk po demanton anëtarin e Kryesisë, por vetëm flet në mënyrë të përgjithshme dhe parimisht. Ndërkaq, nënkryetari tjetër, Lutfi Haziri, mbledhjen e Kryesisë e vlerësoi si "jashtëzakonisht të mirë" dhe "konsensuale". "LDK ka vendosur që roli ynë në qeveri të jetë me të vetmin angazhim - përmirësimi i perfomancës dhe rritjes së qeverisjes së mirë si angazhim konkret dhe i domosdoshëm, i cili do t'u japë impakt zhvillimeve të politikave integruese të Kosovës dhe axhendës së brendshme që Kosova e ka", theksoi Haziri, duke përsëritur se mbledhja ka qenë "konsensuale dhe të gjithë anëtarët e Kryesisë janë pajtuar për të gjitha çështjet që kanë qenë të domosdoshme në këtë proces". Haziri tha se është i gatshëm që të jetë pjesë e qeverisë, por i rezervoi vetes të drejtën edhe për ta kritikuar atë edhe më tej siç ka bërë deri më tash, duke shtuar se "kritika do të jetë pjesë e punës derisa të mos arrihet misioni i LDK-së".
#