E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapiteni i Brustel: Nuk lundrojmë dot

Armando Ulqinaku: Jemi të bllokuar në Libi, sepse certifikatat e sigurisë kanë skaduar

Anija “Brustel” me pronar dhe flamur Shqiptar, e cila qëndron e bllokuar në portin libian të Misuratës nuk mund të lundrojë drejt Shqipërisë, sepse të gjitha certifikatat e saj janë të skaduara. Këtë pohim e bën kapiteni i anijes, Armando Ulqinaku, i cili tha dje në një komunikim telefonik me gazetën “Shqip” se “Anija nuk mund të nisë lundrimin. Kanë skaduar certifikatat dhe lundrimi nuk ka siguri”. Sipas kapitenit Ulqinaku, anija nuk lejohet të dalë në det nga autoritetet portuale të Libisë, por edhe nëse leja do të jepej, ai nuk mund të marrë përsipër të rrezikojë jetën e ekuipazhit.

Kapiteni sqaron gjithashtu, se disa ditë më parë, kur nisi lundrimin për në Shqipëri, anija pati një defekt të rëndë në motor dhe u detyruar të kthehej përsëri në portin e Misuratës. “Ishte arsye madhore”, thotë prerë Ulqinaku, duke kundërshtuar kështu pretendimet e pronarit të anijes, Altin Tepshi, i cili thotë se anija është në gjendje të mirë teknike.

Ulqinaku pohoi se ekuipazhi prej 11 vetash gjendet në vështirësi dhe është në pritje të përgjigjes nga autoritetet e shtetit shqiptar për të siguruar riatdhesimin. “Jam kontaktuar në telefon nga një përfaqësues i Ministrisë së Jashtme, të cilit i kam sqaruar situatën dhe na kanë premtuar se do ta shqyrtojnë rastin e do na ndihmojnë për t’u kthyer në shtëpi”, thotë Ulqinaku, i cili së bashku me dhjetë marinarë të tjerë kanë më shumë se dhjetë muaj që ndodhen në det.

Sa u përket akuzave që i janë bërë atij dhe disa anëtarëve të tjerë të ekuipazhit për mashtrim dhe dëmtim të qëllimshëm të anijes dhe ngarkesës së saj, Ulqinaku thotë se asgjë nuk qëndron, por është sajuar nga pronari për të mos shlyer detyrimet e tij. “Kemi komunikuar me familjarët në Shqipëri dhe ata na thanë se pronari na ka bërë një padi. Le të na thotë ku është bërë kjo padi, që të tërheqim dosjen”, thotë Ulqinaku, sipas të cilit ky veprim është në vazhdën e kërcënimeve që pronari i anijes i bën atij dhe anëtarëve të ekuipazhit.

Kapiteni i anijes “Brustel” thotë gjithashtu se ajo që pretendohet nga pronari i anijes, se vetëm pesë nga marinarët nuk janë paguar, është gënjeshtër. “Familjarët tanë kishin lexuar shkrimin në gazetën “Shqip” dhe na informuan për ato që kishte thënë pronari Alban Tepshi. Ne u çuditëm kur dëgjuam se vetëm pesë veta nga ne nuk kishin marrë rrogën. Për këtë arsye komunikuam me familjet për të verifikuar ato që thuheshin, por na rezultoi se asnjë familje nuk ishte paguar muajt e fundit”, thotë Ulqinaku.

Kapiteni i “Brustel” thotë se disponon të gjitha dokumentet që hedhin poshtë pretendimet e pronarit të anijes dhe do t’i vërë ato në dispozicion të gazetës “Shqip” sapo të marrë leje për të zbritur në tokë e për të pasur akses në internet.

Anëtarët e ekuipazhit të anijes “Brustel” nuk kanë marrë pagat prej shtatë muajsh, pasi akuzohen nga pronari i anijes për abuzime të shumta gjatë lundrimit të gjatë nëpër portet e Afrikës. Së fundi, gjashtë anëtarë të ekuipazhit janë paditur në prokurori për shkatërrim të pronës, mashtrim dhe për poshtërim të Republikës dhe simboleve të saj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›