E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petersen: Serbia, po i ngatërron prioritetet

Ish-shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen e ka vlerësuar arrestimin e ish-kryeministrit Agim Çeku në Bullgari, në bazë të fletë-arrestit të Serbisë, si diçka absurde. Në një reagim të botuar të premten në të përditshmen prestigjioze amerikane, Neë York Times, Jessen-Petersen ka vlerësuar se - Çeku është shkarkuar nga akuzat për krime ndaj serbëve gjatë luftës në Kosovës, vite më parë, nga Tribunali Ndërkombëtar i Drejtësisë në Hagë.
Ai thekson më tej se, përderisa ndaj Çekut nuk ka akuzë - i akuzuari si kriminel lufte, gjenerali serb Ratko Mlladiç, vazhdon të gëzojë mbrojtje të gjerë nga njerëzit me pushtet në Serbi. Jessen-Petersen po ashtu ka theksuar se - duket që Serbia i ka ngatërruar prioritetet e saj. Ai pyet në reagimin e tij - nëse Serbia duhet të harxhojë kohë duke e ndjekur Çekun me akuzat e shpifura, dhe i cili derisa ishte kryeministër i Kosovës, në vitet 2006-2008, ka punuar shumë dhe në mënyrë të sinqertë me serbët e Kosovës për të arritur pajtimin? - apo duhet të investojë energjinë dhe vullnetin e saj politik për ta arrestuar Mlladiçin dhe për ta dorëzuar atë në Hagë?
Duke vepruar kështu, sipas Jessen Petersenit, Serbia do të mbyllte një kapitull të errët të historisë së re, dhe do t'i lejonte shtetit të fokusohej në përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme evropiane për qytetarët e tij - dhe njëkohësisht në zhvillimin e marrëdhënieve konstruktive me fqinjët e saj, përfshirë këtu edhe Kosovën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›