Peticioni, shkon në 604 numri i personaliteteve që i kërkojnë Edi Ramës votimin e 3 ligjeve
Shkon në 604 numri i personaliteteve më të shquara shqiptare të të gjitha fushave, që i bashkohen apelit drejtuar zotit Rama për të mos penguar më votimin e tre ligjeve. Listës i shtohen sot 112 intelektualë të njohur. Ndër emrat që bien në sy, e bija e piktorit të madh shqiptar Vangush Mio; nga kardiologjia Prof.Dr.Anesti Kondili; shefja e Katedrës së reumatologjisë Prof. Teuta Backa e kolegë të saj, nga stomatologjia Prof.Dr. Pavllo Kongo e kolegë të tij, ish deputeti i Partisë Socialiste, Dr. Leontiev Çuçi, profesorë nga Fakulteti i inxhinierisë elektrike, Prof.Dr Petraq Marango e kolegë të tij; nga Fakulteti i inxhinierisë mekanike, Prof. Dr. Angjelin Shtjefni e kolegë të tij; nga Fakulteti i Inxhinierisë matematike dhe fizike, Prof.As. Enkela Moçka e kolegë të saj; nga Akademia e Shkencave Beqir Meta e kolegë të tij; një numër shumë i madh i profesorëve dhe pedagogëve të Universitetit të Korçës “Fan Noli” etj. “Në emër të kurajës qytetare, të atdhedashurisë, detyrimit që kemi ndaj vendit dhe kombit, të aspiratës shqiptare për integrim, ne i bashkohemi me firmat tona grupit iniciator të elitës shqiptare me apelin drejtuar z.Rama, që të mos pengojë deputetët të votojnë tre ligjet që kërkohen për statusin e vendit kandidat. Qëndrimi ynë nuk ia ka me hile z.Rama. Ne thjesht duam që ai të mos ndahet nga shqiptarët. Ne duam që ai të mos bllokojë më. Mosvotimi i tre ligjeve është gjëja më e pakuptimtë”- shprehen ata.
...