Petraeus: SHBA ende e kërcënuar nga sulmet e Al Kaedas

Dhjetë vjet pas sulmeve të 11 shtatorit, SHBA vazhdojnë të mbeten të shqetësuara me kërcënimet që po arrijnë nga bërthama e dobësuar e Al-Kaedas, theksoi Petraeus gjatë adresimit të tij para Kongresit.
"Al-Kaeda në Gadishullin e Arabisë, ose ndryshe AKAP, del të jetë nyja më e rrezikshme rajonale e xhihadit global", tha Petraeus gjatë adresimit të tij të parë para Kongresit amerikan që nga emërimi i tij si shef i ri i CIA-s.
AKAP është përgjegjëse për planifikimin e aktivizimit të bombës në aeroplanin amerikan të udhëtarëve afër Detroitit, në dhjetor të vitit 2009, dhe për tentimin e dërgimit të bombave brenda printerëve kompjuterikë përmes dy aeroplanëve të mallrave, në vitin 2010, theksoi Petraeus.
Trazirat politike në Jemen i ndihmuan AKAP-it në realizimin e bashkëpunimit me fiset lokale dhe në zgjerimin e ndikimit të vet atje, shtoi drejtori i CIA-s.
"Përkundër gjithë kësaj, bashkëpunimi me Jemenin kundër terrorizmit është përmirësuar gjatë disa muajve të fundit", nënvizoi tutje ai.
"Edhe pse këto degë terroriste janë të lidhura me Al-Kaedan, ato posedojnë edhe struktura të veta komanduese, por edhe resurse dhe plane operative, kështu që kryesisht veprojnë si të pavarura", tha Petraeus.
Ai sqaroi se pjesa jugore e Somalisë tani është shndërruar në një prej strehimeve më të mëdha të terroristëve, dhe se dega e Al-Kaedas në ato zonë është goxha e madhe dhe e financuar mirë, dhe se, si rrjedhojë, atje janë stërvitur qindra luftëtarë të ardhur nga jashtë, përfshirë këtu edhe disa shtetas amerikanë.
Ndërsa Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Paneta, ka paralajmëruar Pakistanin se Uashingtoni do të bëjë gjithçka të mundur për të mbrojtur forcat amerikane nga sulmet e militantëve pakistanezë drejt Afganistanit.Komentet e tij pasojnë sulmet e militantëve në ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe në selinë e NATO-s në Kabul.Gjashtëmbëdhjete njerëz kanë humbur jetën në betejën që ka zgjatur rreth 20 orë.Paneta ka fajësuar rrjetin Hakani - një grup me seli në Pakistan dhe aleat me Al Kaidën dhe Talibanët.