E Diel, 1 Nëntor 2026

Petrika Lera, Ministria e Kulturës më ka zaptuar zyrën dhe arkivat

Albana Çakshiri 

Në Muzeun Arkeologjik të Korçës, prej më shumë se 4 muajsh mbahet peng zyra e arkeologut të njohur, prof.dr. Petrika Lera. Me dhjetëra dokumente shkencorë, por dhe objekte me një vlerë të rëndësisë së veçantë janë uzurpuar nga drejtuesit aktualë të këtij muzeu. Fillimisht arkeologu është penguar të hyjë në këtë muze aty ku gjendet edhe zyra e tij. E më pas është urdhëruar prerja e çelësave dhe zëvendësimi i tyre me të tjerë. Kjo e ka shtyrë arkeologun të depozitojë një padi pranë organit të akuzës në Korçë.
Kjo historia e pazakontë në Muzeut Arkeologjik të Korçës ka nisur që nga muaji korrik i këtij viti, atëherë kur u bë bashkimi i Institutit të Arkeologjisë me Drejtoritë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në rrethe. Duke iu referuar vendimit të KM, 22.8.2007, pika 16,18/ab dhe 19, shprehet në mënyrë koncize ndarja e aseteve të Muzeumeve Arkeologjike të Korçës, Durrësit, Fierit, Sarandës, se Institutit të Arkeologjisë do t'i mbeten në përdorim burimet financiare, mjediset, zyrat, rrjeti telefonik, revistat, automjetet, donacione, programe zhvillimi, orendi etj., si dhe arkivat shkencorë, por dhe çdo dokument tjetër arkivor, kurse Ministrisë së Kulturës, e cila ka në juridiksion të saj Drejtoritë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, i mbeten gjithë vlerat e ekspozueshme, si godina e muzeut, vitrinat dhe objektet e tyre. Arkeologu i njohur është lënë jashtë institucionit dhe zyrës së tij të punës në mënyrë arbitrare. Duke iu referuar vetë rrëfimit të prof.dr. Petrika Lera në një prononcim për gazetën, mësohet se incidenti i rëndë ka ndodhur nga data 1 korrik, kur ai nuk është lejuar të hyjë në zyrën e tij. "Kam qenë me një kolegun tim dhe jam paraqitur në punë si përherë, por kam gjetur derën e mbyllur dhe me çelës të ndryshuar. Ndonëse jam lënë jashtë në mënyrën më të turpshme pa më dhënë kush shpjegime, janë mbajtur peng materiale të rëndësishme shkencore, madje dhe të një grupi francez që punon gjatë verës në Korçë, ndërsa drejtori Theodhori, ai që ka organizuar këtë uzurpim për të cilin kam kërkuar ndihmën e organeve kompetente të drejtësisë, ka ngritur një komision për të prerë çelësin, teksa në zyrën time tashmë qëndron një person tjetër që s'ka aspak lidhje me këtë institucion", - ka theksuar ndër të tjera arkeologu. Madje, Lera është i alarmuar për zhdukjen e objekteve të pazëvendësueshme dhe dokumenteve të rralla që ndodhen pranë kësaj zyre, ndonëse në të prej shumë kohësh janë vendosur persona të tjerë dhe nuk dihet fati i asaj që ka ndodhur me objektet dhe dokumentet që ndodheshin në të. Arkeologu korçar pretendon se zyra në të cilën ai ka shërbyer për 35 vjet nuk është vetëm një ambient pune, por në të gjenden vlera arkeologjike me rëndësi shkencore, apo dhe prodhimtari shkencore nga vetë arkeologu, dokumentacion shumëvjeçar shkencor në fushën e arkeologjisë për rajonin e pasur të Korçës. Hyrja e personave të tjerë, thotë Lera, e ve atë në rrezik. Nga ana tjetër, kjo zyrë, nënvizon ai përdoret edhe nga misioni francez i kërkimeve në rrethin e Korçës, që vepron prej gati 15 vjetësh dhe që pritet të mbërrijë sërish pas pak ditësh. Madje, arkeologët francezë kanë depozituar pranë kësaj zyre dokumente shkencore, aparatura elektronike, mjete pune, literaturë kërkimore, gjë që rrezikon një konflikt të dytë, por këtë herë me specialistët e huaj të kësaj fushe. Prokuroria e Korçës nga ana e saj, është duke kryer hetimet për këtë incident të nisur prej disa muajsh, ndërsa gjatë të hënës pritet të mbërrijë në Korçë një grup i posaçëm pune nga Instituti i Arkeologjisë për të zgjidhur këtë çështje dhe për të rihapur zyrën për arkeologun Lera, i cili duhet të inventarizojë ndër të tjera, dhe gjithçka ka mbetur brenda mureve të saj. Nga ana tjetër, drejtori i Monumenteve të Kulturës, Theodhor Theodhori e justifikon veprimin e tij si zbatim të urdhrit të përbashkët të Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit, teksa është e veshur me mister të plotë se çfarë ka ndodhur me gjithë objektet dhe dokumentet e rralla shkencorë që gjenden në të.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›