Murinjo s'e fal Adrianon:Është njësoj si të tjerët
Hoze Murinjo nuk ka ndryshuar ide edhe pse barazimi me Fiorentinën solli kritikat e para në adresë të tij dhe të skuadrës. Pasi e injoroi për transfertën e së mërkurës, portugezi nuk e ka grumbulluar Adrianon as për takimin e sotëm kundër Rexhinës në "Granilo". Në shtëpi ka qëndruar edhe Kruz, të paktën zyrtarisht për dëmtim. Tekniku i Interit në konferencën e djeshme për shtyp bëri sërish të ditura ideta e tij. "Filozofia ime është se lojtarët duhet të dinë të përshtaten me mënyrën se si mendon trajneri", tha ai. Më pas, Murinjo përsëriti tre herë: "Nuk e di nëse Adriano do të kuptojë duke qëndruar jashtë, nuk e di. Mund të them vetëm që nëse dikush i është përkushtuar atij me zemër si trajner, por edhe si shok pune, kam qenë unë". Portugezi përsërit edhe njëherë idenë e tij për të arritur te sukseset. "Unë jam lideri i një grupi prej 29 futbollistësh, një grup në të cilin ka rregulla dhe ku një trajner nuk mund ta ketë një lojtar ndryshe nga tjetrin, që të mund t'i lejojë atij gjëra që ua ndalon të tjerëve. Mbështetja ime për të nuk ndryshon, por unë duhet të mbroj para së gjithash klubin, skuadrën dhe në fund ne, pra grupin. Parimet e mia të skuadrës janë fondamentale, lojtarët duhet ta kuptojnë këtë. Nesër (sot) do të ishte e rëndësishme që ta kishim kundër Rexhinës, por për mua është më i rëndësishëm respekti i profesionalizmit dhe klubit. Ka gjëra që për mua nuk mund të pranohen. Rruga për t'u rikthyer është e gjatë, por jo e pamundur", deklaroi më tej tekniku zikaltër.
Mançini
Murinjo është shumë inteligjent, për të mos u turbulluar nga gazetarët që e krahasojnë me rezultatet e Roberto Mançinit. "Nëse doni të bëjmë krahasime, i bëjmë në maj", thotë ai. "Sa pikë kishin Napoli dhe Udineze vjet? Ku ishte Juventusi që rikthehej nga Seria B? Vetëm një njeri që ka qëllime të këqija bën krahasime të tilla. Vitin e kaluar, më 1 nëntor, Interi nuk e kishte fituar Superkupën dhe kishte humbur ndeshjen e parë në Champions League. kishte 3, 4 apo 5 pikë më shumë në kampionat sesa këtë vit. Jo 20". Më pas, bën një tërheqje të vogël: "Nuk është e mundur të bësh krahasime, nuk është korrekte. Por, nëse doni t'i bëjmë, i bëjmë". Sipas Murinjos, është e pamundur të krahasosh dy kampionate, "pasi janë situata tërësisht të ndryshme". Përmendja e Milanit, që ka një pikë më shumë në renditje, mjafton për të nxehur "të veçantin". "Duhet ekuilibër në gjykime. Kur Milani ishte në vështirësi dhe nuk kishte këto penallti për të fituar, thoja që janë skuadër e madhe dhe se shpejt a vonë do të ktheheshin te suksesi. Kur Juve ishte në situatë të vështirë, kam thënë gjithnjë se ishte çështje kohe. Nuk kam thënë kurrë që jemi përpara, që jemi kampionë dhe se të tjerët kanë vdekur. Kam qenë gjithnjë i ekuilibruar me të tjerët, jam kështu edhe me skuadrën time", u shpreh Murinjo. Megjithatë, gjendja e ish-teknikut të Çelsit nuk është nga më të mirat, pas dy barazimeve të fundit të arritura në kampionat. "Nëse më thoni a jam i kënaqur, po ju them që jo. Nuk jam i lumtur që ndodhemi prapa Milanit dhe që nuk kemi shënuar në dy ndeshjet e fundit", përfundoi Hoze Murinjo.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)