E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH: S'ka fushatë ndëshkimësh ndaj konsumatorëve

Pronarët e OSSH-së reguan dje pas akuzave të ministrit Prifti duke theksuar se ndërprerjet janë për shkak të defekteve

TIRANË- Pronarët e rinj të Operatorit të Shpërndarjes nuk kanë humbur kohë për të kundërshtuar akuzat e bëra në mesditën e djeshme nga ministri i Ekonomisë Dritan Prifti.

Në një reagim zyrtar kompania, deklaron se nëse ka ndërprerje ato bëhen për shkak të defekteve dhe remonteve duke hedhur poshtë ndërmarrjen e ndonjë fushate për ndëshkime kolektive të konsumatorëve.

"OSSH nuk ka ndërmarrë asnjë fushatë ndëshkimesh kolektive kundrejt konsumatorëve të saj dhe as rritje të pagesave aforfe në rastet kur konsumatorët nuk disponojnë matësa të rregullt", - citohet nga kompania. Madje, sipas saj, energjia është duke iu rilidhur edhe atyre që për shkak të mospagesave u ishte ndërprerë më parë për t'u dhënë mundësinë që të kalojnë pa probleme festat e fundvitit.

"Në fakt OSSH u ka dhënë urdhër të gjitha agjencive të saj në të gjithë territorin e vendit që jo vetëm të punojnë intensivisht për të siguruar pa shkëputje furnizimin me energji elektrike, por madje të bëjnë edhe rilidhjen e ndërprerjeve të kryera kundrejt të gjithë debitorëve, me qëllimin që veçanërisht në periudhen e festave të fundvitit të mos ketë mungesa të furnizimit me energji elektrike.

OSSH është duke punuar intensivisht që t'u ofrojë konsumatorëve të saj shërbim cilesor, edhe pse jemi në kushte të një rrjeti të amortizuar dhe me nevoja te vazhdueshme investimesh",- përfundon kompania.

Kjo nuk është hera e parë që CEZ del me deklarata të tilla. Një ditë pas miratimit të masës së rritjes së çmimit të energjisë elektrike nga Enti Rregullator i Energjisë, duke shprehur pakënaqësinë për mosplotësimin e kërkesës së kompanisë Drejtori i Bordit të OSSH-së, Josef Hejsek, deklaroi se do t'i drejtohen Bankës Botërore për të lëvruar në favor të tyre kredinë 60 milionë euro të marrë nga qeveria shqiptare si një formë garancie për respektimin e kontratës së shitjes së këtij operatori.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›