E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderat e Ministrisë së Brendshme, 6 në pranga

Tre zyrtarë dhe tre biznesmenë veshmbathjesh janë arrestuar dje me akuzat e përfshirjes në korrupsion

Të akuzuarit dyshohet se kanë shmangur firmat e tjera dhe kanë ndarë mes tyre lotet në Gardë, kundrejt një rryshfeti 15 mijë eurosh

TIRANË- Tre zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe tre biznesmenë veshmbathjesh u arrestuan nga Policia e Shtetit, pas një hetimi katër mujor, për implikimin e këtyre personave në një tender veshmbathjesh me rreth 14 lote për disa dikastere. Tre nga zyrtarët akuzohen se kanë marrë 125 mijë euro rryshfet në formën e 5 deri 10 për qind të vlerës limit të 14 loteve të ndryshme të tenderave, në disa institucione që trajtohen me veshmbathje.

Operacioni i djeshëm i koduar "Prokurimi i fundit" u njoftua në një konferencë shtypi, të Zv/Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për Departamentin e Hetimit të Krimeve, Agron Kuliçaj. Bujar Murati, 39 vjeç, Drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit Prokurimit të Përqendruar në Ministrisë së Brendshme, Redi Popescu, 31 vjeç, specialist në Ministrinë e Integrimit, Tahir Imami, 49 vjeç, shef i programimit të prokurimeve në Gardën e Republikës, janë arrestuar me akuzat e korrupsionit aktiv dhe pasiv të personave që kryejnë funksione publike. Në këtë institucion dyshohet se edhe janë kryer abuzimet.

Bashkë me këta zyrtarë janë arrestuar edhe biznesmenët Artan Berberi, 43 mjeç, nga Korça, banues në Tiranë, pronar i Kompanisë MALBERTEX, Jani Gjergjefi, 49 vjeç, nga Korça, banues në Tiranë, pronar i shoqërisë GJERGJEFI, si dhe Agur Sadiku, 47 vjeç, banues në Berat, pronar i shoqërisë SADIKU, ky i fundit në arrest shtëpie. Sipas deklaratës së Kuliçajt, nga hetimi i zhvilluar është provuar përfshirja në veprimtari korruptive të tre zyrtarëve të arrestuar.

"Hetimi vërtetoi veprime korruptive të tre zyrtarëve të mësipërm, Bujar Murati, Redi Popescu dhe Tahir Imami, të cilët kanë favorizuar e përzgjedhur disa subjekte tregtare për të klasifikuar fitues në procedurat e prokurimit të datës 9 shtator 2009 me objekt "blerje veshje për disa institucione" me vlerë limit dhe "blerje këpucë", në përfitim prej tyre të shumave të konsiderueshme të parave, të cilat ja kërkonin ryshfet nga 5 deri në 10 për qind të vlerës së limitit të prokurimit. Për këtë fakt të dyshuarit janë arrestuar nga policia duke iu komunikuar atyre akuzat e përfshirjes në korrupsion aktiv.

Në të njëjtën kohë me Kuliçajn, Prokuroria e Përgjithshme publikoi disa detaje të hetimit të mësipërm. "Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në datën 11 shtator 2009, regjistroi procedimin penal Nr.3204 për veprat penale të "Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike", të kryer në bashkëpunim, dhe "Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" të parashikuara nga nenet 244, 25 dhe 259 të Kodit Penal".

Sipas prokurorisë, objekt i hetimit ka qenë procedura e prokurimit të fondeve publike me objekt "Blerje uniforma, veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës të tyre", me fond limit 175 milionë lekë të vjetra , procedurë e Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme.

Prokuroria pohoi se nga hetimi Artan Berberi, Agur Sadiku dhe Jani Gjergjefi dyshohet se kundrejt përfitimeve të kundërligjshme (125.000. euro) që u kanë dhënë Bujar Muratit, Drejtor Prokurimeve në Ministrinë së Brendshme, dhe Redi Popescu kanë ndarë me marrëveshje të paracaktuar midis tyre fituesit e loteve të kësaj procedure prokurimi duke eliminuar konkurrencën e shoqërive të tjera në mënyrë të padrejtë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›