E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petroviq: S’do të ketë humbës

Kryetari i Partisë Liberale Serbe (SLS) dhe zëvendëskryeministri Slobodan Petroviq, ka shprehur optimizëm se në raundin e tetë të dialogut i cili do të mbahet më 2 prill, kryeministri Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq do të arrijnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Vlerësimi im për takimin e fundit është përparimi dhe përafrimi i qëndrimeve të të dyja palëve, pa ndonjë paralajmërim pompoz, pasi që bëhet fjalë për përpilim shumë të detajshëm të marrëveshjes. Unë gjithnjë jam optimist dhe, besoj në marrëveshje” është deklaruar Petroviq.

Në këtë bisedë për “Epokën e re”, Petroviq ka thënë se me arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, Brukseli do t’i hapë rrugë integrimit të të dyja vendeve në Bashkim Evropian (BE).“Shpresoj se vullneti politik i të dyja palëve gjithsesi do të shpërblehet kryesisht me hapjen e rrugës drejt integrimeve në BE. Për Serbinë datën konkrete për anëtarësim në BE, kurse për Kosovën konfirmimin pozitiv të Studimit të Fizibilitetit, marrëveshje të volitshme tregtare, liberalizimin e vizave dhe të gjitha ato që do të avanconin indeksin e zhvillimit njerëzor në Kosovë”, është shprehur Petroviq. Në këtë kontekst, zëvendëskryeministri Petroviq ka thënë se pas normalizimit të marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, Qeverinë e Kosovës e presin shumë punë. “Mos harroni, se tek pas normalizimit të marrëdhënieve këtë qeveri, apo ndonjë tjetër të ardhshme, e pret një punë serioze në të gjitha fushat e zhvillimit si dhe dëshmimit dhe realizimit të qëllimeve të Studimit të Fizibilitetit”, ka thënë Petroviq.


Sipas Petroviqit në këtë fazë shumë më e rëndësishme është normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë sesa njohja reciproke. “Mendoj se në këtë fazën e parë, pa dyshim, është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, gjë që do t’i mundësonte Kosovës anëtarësimin në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, ka deklaruar Petroviq.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, ka thënë se as Prishtina e as Beogradi nuk duhet ta shohin veten humbëse në dialogun për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy shteteve. “Dialogu është i vetmi proces në të cilin nuk ka fitues dhe humbës, por vetëm ata të cilët dëshirojnë që të mundësojnë jetë normale në rajon dhe kjo në rrethanat të cilat janë të pazakonshme dhe të komplikuara. Këto janë bisedime dhe nuk do të duhej të thuhej se palët nganjëherë nuk duhet të lëshojnë pe e nganjëherë ta tërheqin. Të jeni të sigurt se e tëra po bëhet në pajtim me dëshirën për jetë më të mirë në Kosovë”, ka thënë Petroviq. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›