E Diel, 1 Nëntor 2026

Presioni qytetar pengoi shtrenjtimin e energjisë elektrike

Protestat e vazhdueshme të qytetarëve kundër faturave të larta të energjisë elektrike e kanë arritur qëllimin sa i përket çmimit të tarifave për periudhën e pas 1 prillit. Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka marrë vendim që të hyrat maksimale të lejuara për Korporatën Energjetike të Kosovës dhe KOSTT-in të jenë të larta aq sa të mos ketë nevojë për tarifa më të shtrenjta për këtë vit. Ky vendim i bordit të ZRRE-së ka ardhur vetëm disa ditë pas paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës se do të heqë dorë nga fitimi i saj, fitim ky që ka pasur ndikim në tarifat, e që në termat shkencorë quhet “kthim i ekuitetit”, shkruan Koha Ditore e së shtunës.

Sipas drejtorit të bordit të ZRRE-së, Krenar Bujupi, të hyrat maksimale për këtë vit do të jenë 224.6 milionë euro, apo 9 milionë euro më të larta se në vitin paraprak. Kjo rritje e të hyrave ka ardhur për shkak të rritjes së shitjeve të furnizuesit publik dhe nuk ka nevojë për rritje të tarifave.

“Nuk ka një ndryshim të tarifës mesatare që kalkulohet nga të hyrat e lejuara dhe shitjeve të përgjithshme, nuk ka ndryshim nga viti 2012 në vitin 2013. Tarifa mesatare reale e aprovuar nga bordi i ZRRE-së do të jetë 5.80 euro/centë, aq sa ka qenë edhe në vitin paraprak”, ka thënë Bujupi.

Por, për të parandaluar shtrenjtimin e energjisë për amvisërinë është i domosdoshëm edhe një vendim i ZRRE-së. Fjala është për eliminimin e ndërsubvencioneve në mes të kategorive të ndryshme të konsumatorëve të KEK-ut, pasi në Kosovë bizneset kanë paguar çmim më të lartë të energjisë, krahasuar me konsumatorët e amvisërisë. Që në fillim të këtij shqyrtimi tarifor, ZRRE-ja e kishte cekur se në ngritje të tarifave, përveç tjerash, do të ndikojë edhe nevoja për eliminim të ndërsubvencioneve. Eliminimi i ndër-subvencioneve në mes të kategorive të ndryshme të konsumatorëve, deri në fund të vitit 2014, është obligim ligjor i Kosovës. Në rast se do të bëhej eliminimi i ndërsubvencioneve, atëherë çmimi për konsumatorët e energjisë do të shtrenjtohej, ndërsa do të lirohet çmimi për konsumatorët e mëdhenj apo bizneset. Me eliminimin e ndërsubvencioneve nuk rriten të hyrat e KEK-ut, por vetëm bëhet bartja e një pjesë të të hyrave nga bizneset tek amvisëria.

Por, duket se Bordi i ZRRE-së nuk do të nisë që nga ky vit të bëjë eliminimin e ndërsubvencioneve.

Raporti përfundimtar i ZRRE-së ende nuk është publikuar në ueb-faqen e ZRRE-së, në të cilën mund të kuptohen të gjitha vendimet që janë marrë nga ana e Bordit të ZRRE-së rreth të hyrave të KEK-ut dhe KOSTT-it./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›