E Diel, 1 Nëntor 2026

Petroviq shpejt pritet të takohet me zyrtarët më të lartë të qeverisë serbe

Në agjendën e Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Sllobodan Petroviq shumë shpejt pritet të jetë edhe takimi me zyrtarët më të lartë të qeverisë serbe në Beograd.

Sipas tij, kjo është mënyra e vetme për gjetjen e zgjidhjeve të problemeve elementare në Kosovë.

“Është me rëndësi që njerëzit që kanë marrë përgjegjësi dhe janë inkuadruar në këto procese, për përmirësimin e jetesës së serbëve dhe të gjithë qytetarëve, të përfaqësojnë interesat e tyre. Unë jam Zv.Kryeministër dhe i përfaqësoj serbët në Qeverinë e Kosovës. Nuk kisha dashur të komentoj rreth lokacionit se ku do të mbahet takimi por ju them se gjithçka do të jetë transparente”, ka theksuar Petroviq.

Ai la të kuptohet se takimi mund të ndodhë në ndërtesën e Qeverisë së Serbisë në Beograd, por edhe në atë të Kosovës në Prishtinë.

Në një intervistë për redaksinë serbe në RTK, Petroviq ka thënë se dialogu nuk bën të ndalet sepse ai do të dëmtojë jo vetëm interesat e përbashkët por në përgjithësi përmes dialogut vijmë te zgjidhjet kualitative, të cilat përveç se kontribuojnë në normalizimin e jetesës, ndikojnë edhe në zgjidhjen e shumë problemeve elementare.

Petroviq ka dënuar incidentet e ditëve të fundit duke bërë thirrje që përgjegjësit të dalin para drejtësisë./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›