E Diel, 1 Nëntor 2026

Peza: 10 faktorë që mund të dëmtojnë fitoren e opozitës

Gazetari i njohur Alfred Peza, njëherësh kandidat i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, komenton situatën politike brenda të majtës pas procesit të hartimit të listës së kandidatëve zyrtar. Për të arritur një fitore të padiskutueshme të së majtës, Alfred Peza gjykon se janë 10 faktorë të cilët mund të dëmtojnë opozitën. Sipas tij, ato janë:

1.- Mendimi se pas 8 vjetësh në qeveri, Sali Berisha mund të iki vetë dhe të mundet lehtë.

2.- Shkrehja e punës nga kandidatët për deputetë të PS, pas aleancës me LSI, duke menduar pas kësaj, më shumë për ndarjen e posteve qeveritare, sesa për fitoren e zgjedhjeve.

3.- Nënvleftësimi i pakënaqësisë së ish-deputetëve të PS, Kastriot Islami, Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani, të përfshirë në listat e sigurta të PD.

4.- Nënvleftësimi i ndikimit të peshës elektorale të Agron Dukës pas kandidimit me PR në Durrës.

5. Nënvleftësimi i rolit dhe peshës së kandidatëve të pavarur Arben Malaj në Vlorë dhe Dritan Prifti në Fier.

6.- Nënvleftësimi i dëmit që mund të shkaktojnë deputetët aktualë që nuk kandidojnë sërish për një mandat tjetër.

7. Nënvleftësimi i të gjithë aktorëve që u refuzuan të kandidoheshin në listat e kandidatëve të PS.

8.- Mbivlerësimi i rolit dhe peshës reale të Fatos Nanos në elektoratin e majtë.

9.- Mbivlerësimi i fushatës në internet, televizione e gazeta, në raport me punën derë më derë dhe votë për votë, në të gjithë Shqipërinë.

10.- Nënvlerësimi i rolit të emigrantëve për rezultatin final të këtyre zgjedhjeve.

Në përfundim të analizës së tij për situatën brenda së majtës, Alfred Peza thotë se “nëse dikush do t’i kërkonte tri këshilla, se ku duhej bazuar dhe mbështetur puna në mënyrë që PS ta kishte më të sigurt se kurrë më parë, fitoren në këto zgjedhje, ato do të ishin: a.- Punë. b.- Organizim. c.- Menaxhim”.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›