Pezullohen nga detyra tre punonjës policie në Korçë

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Korçës, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre ose funksioni publik”, ndaj tre punonjësve të policisë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Konkretisht janë pezulluar nga detyra nënkomisar I. T., me detyrë Specialist Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pogradec, në DVKM Korçë; Inspektor K. L., me detyrë Trupë Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pogradec, në DVKM Korçë; Inspektor F. I., me detyrë Trupë Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pogradec, në DVKM Korçë
“Vendimi i gjykatës, erdhi mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria Rajonale e AMP-së Korçë, pas dyshimeve të arsyeshme se këta punonjës policie, edhe pse kanë konstatuar më datë 28.12.2024 shtetasit E.P. dhe L.E. duke kryer peshkim të ndaluar në liqenin e Ohrit, me veprime dhe mosveprime, kanë favorizuar aktivitetin e kundërligjshëm të këtyre shtetasve, me dyshime përfitimi”, njofton AMP. /j.p/r.e/