OSBE, trajnim për fuqizimin e oficerëve në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri njoftoi sot se pas Tiranës, ka nisur programi i trajnimit kaskadë për oficerët e Policisë në Shkodër dhe Kukës lidhur hetimin e trafiqeve njerëzore.
Sipas njoftimit të OSBE-së, programi i trajnimit po zhvillohet bashkë me Policinë e Shtetit, në gjashtë qarqe të Shqipërisë, fokusohet në zhvillimin e aftësive të nevojshme për të intervistuar viktimat e trafikimit.
“Ai është pjesë e projektit tonë “Forcimi i kapaciteteve të institucioneve ligjzbatuese për bashkëpunimin ndërsektorial dhe ndjekjen penale të trafikimit të personave dhe financohet nga Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Italia dhe Irlanda”, cilësohet në postimin në rrjetet sociale.
Kjo nismë, e bazuar në trajnimin përmes mentorimit, ofron njohuri dhe teknika të specializuara për oficerët e Policisë që janë përgjegjës për hetimin e trafikimit të qenieve njerëzore, duke i aftësuar ata për të kryer intervista delikate me viktimat.
Programi i trajnimit fuqizon pjesëmarrësit që të bëhen vetë trajnerë, duke mundësuar përcjelljen e ekspertizës tek institucionet ligjzbatuese. /j.p/
Nga trajnimi kaskadë i OSBE-së me oficerët e Policisë së Shtetit 1 nga 10