Pezullohet nga detyra drejtori i burgut të Lezhës

Pezullohet nga detyra drejtori i burgut të Lezhës Valentin Miri. Vendimi është marrë nga ministri i drejtësisë Eduard Halimi pas ngjarjes së rëndë të ndodhur dje në burgun e Lezhës ku një i dënuar u sulmua me kaçavidë.
Gjithashtu është pezulluar nga detyra dhe i gjithë ekipi i sigurisë së burgut duke filluar nga shefi i policisë Besim Rama si dhe punonjësit e shërbimit Pjerin Marku, Artur Mera, Bujar Kasmi, deri në përfundim të hetimit nga strukturat përkatëse. Gjithashtu Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka urdhëruar menjëherë hetimin e ngjarjes së rëndë nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Burgjeve.
Ndërkohë vetëm pak ditë pas arrestimit të tij, është plagosur dje në ambjentet e burgut të Shën-Kollit në Lezhë kryetari i Komunës Rrethina e Shkodrës. 38- vjeçari është qëlluar me kacavidë në fyt, i burgosuri Xheladin Kruja nga Shkodra me të cilin dyshohet se ka pasur një konflikt të vjetër. Ky i fundit i dënuar me 12 vjet burg për vrasje ka qëlluar Mujën gjatë kohës kur bashkë me të dënuarit e tjerë ishin në orarin e ajrosjes në burgun e Shën-Kollit.
I plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku po merr ndihmën e parë mjekësore. Arrestimi i Kleves Mujës është kryer pasi autoritetet italiane të drejtësisë në Bari kanë lëshuar ndaj tij urdhër-arrestin ndërkombëtar, me datën 29 tetor 2010, pasi akuzohet për veprën penale të "trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.