Pezullohet për shpërdorim detyre drejtori i Financës në AMP

TIRANË, 16 shkurt/ATSH/ Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë u vendos sot caktimi i masës së sigurisë “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për shtetasin Gëzim Sala, drejtor në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Tiranë.
Shtetasi në fjalë është nën hetim për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Hetimet nisën pas kallëzimit të kryer nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, mbi punësimin në kundërshtim me ligjin pranë kësaj agjencie të shtetasit M.Sh., i cili humbi jetën në rrethrrotullimin e Rinasit, i qëlluar me armë zjarri së bashku me shtetasin G.D.
Nga hetimet rezultoi se shtetasi M.Sh., ishte punësuar prej afro 2 muajsh, si punonjës i AMP-së në funksion ndihmëspecialist në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale.
Prokuroria provoi se dokumenti i gjendur këtij shtetasi ishte i falsifikuar, pasi nuk rezultonte që AMP ta kishte pajisur me dokument.
Ky shtetas kërkoi të punësohej në AMP më 09 shtator 2025 dhe pranimi i tij më 15 shtator 2025, nëpërmjet një urdhri, rezulton haptazi në kundërshtim me ligjin “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores Për Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”.
Në këto akte ligjore dhe nënligjore përcaktohet qartë se rekrutimi i punonjësve të AMP-së bëhet nëpërmjet konkurrimit, shpalljes së vendeve vakante, krijimit të komisioneve përkatëse, testimit, verifikimit përfundimtar për kualifikimin/skualifikimin e aplikantëve deri në përpilimin e kontratës, urdhrin e emërimit në detyrë dhe periudhën e provës.
Drejtori i Drejtorisë të Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, shtetasi G.S., shprehet se procedura e ndjekur për rekrutimin e shtetasit M.Sh., nuk është ligjore dhe se ai në këtë proces ka nënshkruar miratimin vetëm për anën formale të akteve dhe jo në përmbajtje.
Ndërkohë që ky shtetas ka kërkuar që ky urdhër të bëhej shpejt me motivacionin “pranohet me kontratë të përkohshme dhe për nevoja emergjente”.
“Ky shtetas me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka konsumuar elemente të veprës penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ dhe ka anashkaluar ligjin organik ‘Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore’ dhe rregulloren ‘Për Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore’ ku janë përcaktuar qartë fazat e vlerësimit të kandidaturës M. Sh., nga testimet, verifikimet përfundimtare, vlerësimi i dokumentacionit të dorëzuar nga aplikanti (asnjë prej këtyre fazave nuk është aplikuar) deri në nënshkrimin e urdhrit të punësimit, i cili në përmbajtje të tij ka motivimin “për nevoja emergjente'”, thuhet në njoftim.
Prokuroria evidenton se shtetasi M.Sh. u punësua me një procedurë të paligjshme, në një kohë shumë të shkurtër që i janë lidhur marrëdhëniet financiare, në total 4 ditë pune, që tregon se nuk është aplikuar asnjë prej detyrimeve ligjore të shprehura në ligjin dhe rregulloren e AMP-së.
Sipas prokurorisë, ky shtetas u pagua me rrogë të rregullt nga data 16 shtator 2025 deri në datën 11 nëntor 2025 (data e ngjarjes në rrethrrotullimin e Rinasit), pa u paraqitur asnjëherë në punë, apo zhvilluar ndonjë detyrë.
/m.m/a.f/r.e/