E Enjte, 5 Nëntor 2026

Pezullohet punonjësi i Policisë, akuzohet për “Shpërdorim detyre”

TIRANË, 20 qershor/ATSH/ Punonjësi i Policisë, pjesë e komisariatit numër 4 në Tiranë, është pezulluar sot nga detyra, për shkak se është nën hetim për “Shpërdorim detyre”.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore njoftoi të enjten se, “pas hetimeve të thelluara të kryera në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, AMP ka ekzektuar masën e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të vendosur nga Gjykata e Shkallës Parë të Jurisiksionit të Përgjithshëm Tiranë ndaj punonjësit të policisë E.D., 38 vjeç, me detyrë Nd/Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”.”

“Vendimi i Gjykatës ka ardhur pasi nga veprimet hetimore të kryera nga AMP, janë siguruar prova dhe fakte, të cilat përbëjnë dyshime të bazuara se gjatë një operacioni të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4 Tiranë, në datë 11.06.2024, për identifikimin dhe kapjen e autorëve, posedues të një parcele ku kultivohej lëndë narkotike, ky punonjës policie, duke shfrytëzuar informacionin që kishte për shkak të detyrës, ka kryer veprime aktive për njoftimin e njërit prej autorëve, me të cilin kishte lidhje të afërta familjare, me qëllim shmangien nga përgjegjësia penale”, përfundon njoftimi i AMP.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë me prova ligjore të veprimtarisë së dyshuar.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›