E Shtunë, 31 Tetor 2026

Philip Reeker: SHBA mbështet integritetin territorial të Kosovës

04-03-2013 / Gazeta 55

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në prag të mbajtjes së takimit të radhës të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është takuar në Bruksel me ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker.
Siç bëhet e ditur në kumtesën e Kryeministrisë, kreu i ekzekutivit, Hashim Thaçi theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si rruga më e mirë për zgjidhjen e një mori çështjeve që kërkojnë qasje ndër-shtetërore, rajonale dhe më gjerë.
Thaçi potencoi se me marrëveshjet e arritura është përmirësuar jeta e qytetarëve të Kosovës pa dallime etnike, fetare apo politike.
Ndërkaq, ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker ritheksoi vazhdimësinë e përkrahjes së palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun dhe përgëzoi kryeministrin Thaçi për përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës.
Ndihmës sekretari Amerikan, Reeker theksoi se SHBA-të mbështesin integritetin territorial të Kosovës, duke shtuar se dialogu duhet të vazhdojë për të ecur përpara drejt integrimit dhe fqinjësisë së mirë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›