Pickimet nga insektet, më të shpeshta pickimet nga bletët, kërkoni ndihmë tek specialisti

Stina e verës, përveç temperaturave të larta, sjell edhe rritje të rasteve të pickimeve nga insekte dhe zvarranikë. Valbona Lipe, mjeke pranë Qendrave Shëndetësore nr. 2 dhe nr. 3 në Përmet, bën me dije se rastet më të shpeshta gjatë kësaj periudhe janë ato të pickimeve nga bletët.
“Rastet kanë qenë raste të thjeshta kryesisht pickimet nga bletët apo dhe raste të pickimit nga gjarpërinjtë. Janë marrë masa sepse qendrat janë të pajisura me medikamente për t’ju dhënë ndihmën e parë”, u shpreh mjekja.
Mjekja u bën apel qytetarëve që për çdo rast pickimi ose kafshimi, të mos ndërhyjnë vetë, por të drejtohen menjëherë te mjekët dhe specialistët përkatës.
“Në rastet e pickimit të gjarprit duhet patjetër të paraqiten në spital që të marrin ndihmën e parë”, tha Lipe.
Qendrat Shëndetësore nr. 2 dhe nr. 3 në Përmet janë të pajisura me medikamentet e nevojshme për situata emergjente. Personeli shëndetësor është i trajnuar dhe gati për të ofruar ndihmën e parë në çdo rast pickimi apo kafshimi nga insektet dhe zvarranikët. Sipas të dhënave të këtyre qendrave, deri më tani janë regjistruar tetë raste pickimesh dhe dy raste kafshime nga gjarpri.
/rtsh.al/