Pijet alkoolike me metanol, 10 herë mbi normat e lejuara
Sipas studimit të ISHP-së, mostrat e marra të pijeve alkoolike rezultojnë me përqindje të lartë metanoli. Specialistët: Janë të rrezikshme
Studimi
Pije alkoolike të prodhuara në mënyrë artizanale, jashtë çdo kushti normal dhe me përmbajtje të mëdha të Alkoolit Metilik. Madje këto pije gjenden rëndom në bare dhe restorante duke rrezikuar seriozisht shëndetin e popullatës. Alarmi vjen pikërisht nga Instituti i Shëndetit Publik, sipas të cilit, pas një studimi të këtyre pijeve, është vërejtur përqindje e lartë e alkoolit metilik (Metanolit). Sipas këtij studimi për pije të prodhuara në Shqipërinë e Mesme, por edhe në zona të tjera, ka rezultuar se në mostrat e marra alkooli metilik e ka kaluar 10-fishin e normave të lejuara. "Pijet ishin të prodhuara në kushte shtëpiake apo edhe në fabrika të vogla, pa licencë sigurie",- pohon specialistja e ISHP-së, Boçari.
Pijet me metanol
Instituti i Shëndetit Publik jep alarmin për përdorim të pijeve alkoolike të pakontrolluara. Kështu, ngjarja e vitit 1994, ku humbën jetën 12 persona për shkak të konsumimit të pijeve të pakontrolluara, rrezikon të ripërsëritet edhe tani. "Nga studimi i ISHP-së në pijet e prodhuara në qytetet e Shqipërisë së Mesme, por edhe në disa qytetet të tjera, si Fushë-Kuja dhe Tepelena, ka rezultuar se mostrat e marra kanë kaluar 10-të fishin e normave të lejuara",- bëhet e ditur nga specialistët e ISHP-së duke shtuar se kjo përbën një situatë problematike, ndaj së cilës duhet të merren masa. Sipas studimit, pothuajse në të gjitha mostrat e marra është vërejtur përqindje e lartë e alkoolit metilik. "Kishte mostra që kishin gati 10-fishin më të lartë përqindje të alkoolit metilik, krahasuar me normën. Dhe kjo është gati e pabesueshme",- pohon specialistja e ISHP-së, Donika Boçari. Sipas saj, kjo ka ardhur pikërisht për shkak të moszbatimit të teknologjisë në prodhimin e pijeve. Ajo shpjegon se këto ishin mostra të prodhuara nga prodhues artizanalë, të jashtëligjshëm, të cilët gjendeshin në klube dhe restorante.
Dëmet
Janë të rrezikshme për shëndetin e si pasojë dëmet fillojnë me humbje të shikimit, por mund të përfundojnë edhe me vdekje. Ndërkohë ata pohojnë se dëmi në organizëm nga përzierja e alkoolit metilik nuk ndodh me konsumimin e një apo 2 gotave, por bëhet fjalë për persona të cilët frekuentojnë rregullisht pijen, të cilët rrezikojnë humbje të ngadaltë të shikimit deri në verbim. "Në rastin më të keq, konsumimi i alkoolit metilik shkakton vdekjen",- theksojnë specialistët. Ndërkohë specialistët pohojnë se alkooli metilik është ndër alkoolet më të lehta, por që në norma të larta mund të shkaktojë edhe vdekjen. "Prodhuesit e paligjshëm tentojnë që të bëjnë rakinë që t'iu bjerë në kokë personave, pa marrë parasysh pasojat që sjell metanoli",- pohojnë specialistët.
12 persona kanë vdekur nga përdorimi i pijeve të pakontrolluara, në përbërje me përqindje të lartë metanoli, në vitin 1994
7 kanë vdekur vetëm në Tiranë, në vitin 1993, nga përdorimi i pijeve të pakontrolluara me përqindje të lartë metanoli