E Shtunë, 31 Tetor 2026

Etiketimet e ushqimeve, konflikte mes DBU-së dhe Doganës

Vlorë
Në zbatim të urdhëresës për etiketimet në shqip, kontrollorë të Inspektoratit të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimeve, të degës së Vlorës, janë vendosur pranë Portit të Vlorës. Sipas tyre, pas kontrollit dhe dhënies së Certifikatës, duhet të vijojnë procedurat për zhdoganimet e mallrave ushqimorë të sjella nga ana e firmave. Shefi i Inspektoratit të DBU-së të Vlorës, Agron Haruni, pohon se këtu ka nisur dhe konflikti. "Sipas udhëzimit, të parët kontrollojnë etiketimet në shqip inspektorët tanë dhe nëse ka problematika në etiketime, atëherë doganat nuk mund të veprojnë me procedurat e zhdoganimit",- pohon ai, duke shtuar se Dogana e Vlorës në dukje zbaton procedurat, këto bëhen vetëm përkohësisht, pasi më pas malli zhdoganohet. Ndërkohë konflikti nuk pranohet nga ana e Doganës së Vlorës. Sipas drejtorit Hysni Sharra, ky urdhër ka nisur të veprojë prej muajit shtator dhe në këtë periudhë ai është zbatuar. Tashmë, sipas tij, nga ana e DBU-së ngrihen probleme të mbartura, të cilat nuk kanë të bëjnë me etiketimet aktuale, por me mallra të këtyre firmave të shpërndara në pika të ndryshme të vendit, të cilat kanë hyrë nga pika doganore e Vlorës. Gjithsesi në raportin që DBU e Vlorës ka përpiluar për këtë vit, janë shënuar 9 raste, që inspektorët e degës kanë refuzuar dhënien e certifikatave dhe pavarësisht kësaj doganat kanë bërë zhdoganimet.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›