Presidenti Begaj dhe Kryetarja e Kuvendit të Bullgarisë, diskutojnë zgjerimin e bashkëpunimit dhe rrugën drejt BE-së

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti të hënën në një takim të rëndësishëm Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Bullgarisë, Nataliya Vasileva Kiselova. Ky takim theksoi marrëdhëniet e forta dypalëshe dhe perspektivat e përbashkëta euro-atlantike.
Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve, duke theksuar se ato janë zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme, duke sjellë përfitime të ndërsjella dhe duke shërbyer interesave të rajonit dhe perspektivës së tij evropiane.
“Kjo marrëdhënie bazohet në miqësinë tradicionale, si edhe në lidhjet e thella historike, kulturore dhe ndërnjerëzore që bashkojnë dy kombet tona. Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë ngushtësisht me Bullgarinë, si në nivel dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh,” u shpreh Kreu i Shtetit.
Në vijim të diskutimeve, Presidenti Begaj theksoi nevojën për të zgjeruar bashkëpunimin edhe në fushën e ekonomisë dhe të shkëmbimeve tregtare.
“Në fillim të viteve ’90 kishim një nivel më të lartë të këtyre shkëmbimeve dhe synimi ynë është të rikthehemi në atë trend pozitiv,” vijoi ai.
Një pjesë thelbësore e takimit ishte falënderimi i Presidentit për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
“Avancimi i mëtejshëm i Shqipërisë do të përbënte një sinjal të fortë se procesi i zgjerimit është përparësi e Bashkimit Evropian,” deklaroi Begaj.
Ai ritheksoi objektivat ambicioze të Shqipërisë: “Shqipëria synon të përmbyllë negociatat me Bashkimin Evropian deri në vitin 2027 dhe ka si objektiv strategjik anëtarësimin deri në vitin 2030. Për realizimin e këtij objektivi, ne besojmë në mbështetjen e Bullgarisë.”
Bashkëpunimi në fushën e sigurisë, si dy vende anëtare të NATO-s, gjithashtu u vlerësua lart, me Presidentin Begaj që përmendi prezencën e trupave shqiptare në Novo Selo si një shembull të këtij bashkëpunimi të ngushtë.
Në fund, Presidenti theksoi rëndësinë strategjike të Korridorit VIII dhe portit të Durrësit.
“Për Shqipërinë, nuk ka asnjë dyshim se Korridori VIII është një projekt strategjik për lidhjen rajonale, zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tregut. Ndërtimi i përshpejtuar i këtij korridori është një objektiv i yni,” përfundoi Presidenti Begaj.
/rtsh.al/