Pikëpyetjet e amnistisë fiskale
Edhe pse amnistia fiskale e miratuar ne vitin 2011 nuk arriti të përmbushte synimin që kishte Ministria e Financave, sërish drafti që Kuvendi miratoi seancën e të enjtes përmban të njëjtin variant: Ai vetëm shtyn afatin deri në fund të vitit 2013.
Kështu, ligji i ri fal të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore, gjobat dhe penalizimet të cilat janë vënë në vitin 2009 dhe 2010, por që nuk kanë mundur të përfitojnë nga amnistia e parë.
Ekspertët, duke folur për “Vizion Plus”, e konsiderojnë si të paefektshëm edhe këtë variant, pasi ligji vijon të mos japë garanci për bizneset se në momentin që ata deklarojnë parregullsitë, nuk do të penalizohen nga administrata tatimore. Për ekspertë të tjerë, Kuvendi duhet të miratonte draftin e plotë, i cili përfshinte edhe legalizimin e kapitalit. Ata shpjegojnë se në kushtet e krizës ekonomike, biznesi do të amnistohej, por edhe subjektet të cilat janë informale, do të fillonin të paguanin taksa. Zgjatja e afateve të veprimit të këtij ligji i jep të drejtë bizneseve që të rivlerësojnë edhe njëherë bilancet e tyre, ku për pronat, pasuritë e paluajtshme dhe makineritë të cilat kanë qenë të padeklaruara më parë janë të detyruar të paguajnë vetëm 6-7 për qind të detyrimit tatimor. Në vitin 2011 financat arritën të mbledhin vetëm 14 miliardë lekë nga 57 miliardë detyrime që ishin të papaguara./b.l