E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pikët për të mos u klasifikuar si mbetës

04/06/2010 Skema e vlerësimit për provimin e Letërsisë, nota maksimale arrihet me 50 pikë

Rezultati negativ i një provimi nuk kushtëzon hyrjen e kandidatëve në provimet e tjera

Pranvera Kola

Vlerësimi i provimeve të gjuhës dhe letërsisë ka nisur gjatë ditës së djeshme vetëm në qendrën e kryeqytetit, ndërsa në tri qendrat e tjera të ngritura në rrethe ka filluar gjatë ditës së sotme. Tashmë është përcaktuar edhe skema me të cilën të gjithë mësuesit e përzgjedhur do të vlerësojnë përgjigjet e dhëna nga maturantët e përfshirë në këtë provim. Për të marrë vlerësimin maksimal, që i korrespondon notës 10, maturantët duhet të grumbullojnë për të gjitha pyetjet rreth 50 pikë. Burime pranë Ministrisë së Arsimit bëjnë të ditur që pragu minimal i pikëve që do të ndajë notat kaluese nga ato jokaluese nuk është përcaktuar ende, duke e lënë këtë të fundit për një fazë të dytë.

Kufiri

Ky përcaktim i pikëve minimale që duhen për të marrë notën kaluese do të bëhet vetëm kur grupet e vlerësimit do të kenë përfunduar së korrigjuari të gjitha testet. Pas verifikimit të këtyre pikëve dhe nivelit të përgjithshëm të maturantëve do të merret dhe një vendim se në cilën pikë do të vendoset kufiri ndarës ndërmjet notave kaluese dhe jokaluese. Në maturën e 2009-s niveli i përgjithshëm nuk ishte edhe aq i lartë, çka solli një ulje të pikëve që duheshin për t’u klasifikuar te nxënësit kalues (përkatësisht me më pak se 10 pikë të grumbulluara nga testi). Për këtë vit pohohet se, nëse niveli i pikëve të marra do të jetë më i lartë, atëherë kufiri minimal i pikëve për t’u klasifikuar si kalues do të jetë më i lartë. Procesi i vlerësimit të testeve gjatë 2010-s do të ndjekë një tjetër rrjedhë. Kështu, procedura e korrigjimit të testeve do të jetë e dyfishtë, nëpërmjet të cilës synohet një korrigjim më i mirë, që shmang procedurat e stërzgjatura të kontestimit të rezultateve nga ana e maturantit. Në këtë mënyrë rezultatet e nxjerra për provimin e letërsisë nuk do të mund të rivlerësohen sërish, nëse maturanti do të mbetet i pakënaqur me to, megjithatë do t’i lejohet të gëzojë të drejtën për të parë një fotokopje të testit të korrigjuar. Në rregulloren e provimeve të maturës shtetërore 2010 përcaktohet:

Vlerësimi

“Çdo pyetje e testit i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë, të pavarur nga njëri-tjetri. Vlerësuesit, pasi marrin në dorëzim testet, konfirmojnë saktësinë e tyre dhe bëjnë kodifikimin me numra arabë, pavarësisht nga barkodi dhe pa e dëmtuar atë. Vlerësuesit mund të bëjnë shënime në test, por vlerësimet për çdo pyetje i pasqyrojnë në formularët përkatës.” Përshtatja e vlerësimeve bëhet pas korrigjimit të çdo 40 testeve. Në rastet kur ka mospërputhje midis dy vlerësuesve, përgjegjësi i vlerësimit aktivizon një vlerësues të tretë për të bërë, motivuar dhe argumentuar vlerësimin përfundimtar. Më pas do të jetë Ministria e Arsimit që do të zyrtarizojë ngritjen e komisioneve të posaçme (kopoted), që do të shqyrtojnë rast pas rasti të gjitha testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve dhe me parregullsi. Për rastet kur këto pasaktësi apo kopjime do të rezultojnë të vërteta, maturanti do të penalizohet me humbje të së drejtës së konkurrimit për ndjekjen e shkollës së lartë gjatë këtij vitit. Në rregulloren e këtij viti është vënë kusht që maturantët të marrin nota kaluese në të katër provimet e maturës, për të vijuar më tej procedurën e pranimeve në universitete. Ndërsa për rastet kur marrin notë jokaluese në njërin prej provimeve, do të lejohen të futen edhe te lëndët me zgjedhje, por të drejtën e konkurrimit për shkollë të lartë do ta gëzojnë vetëm gjatë vitit të ardhshëm, duke qenë se rezultatet e tyre ruhen.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›