E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi anëtari i pestë i Këshillit të Rregullores

03/06/2010 Vendimi pas letrës

Gramoz Ruçi do të jetë antari i pestë i Këshillit të Rregullores, duke zëvëndësuar në këtë mënyrë deputetin e PDI-së Shpëtim Idrizi. Vendimi është marrë dje në mbrëmje nga ana e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, e cila i kapranuar kërkesën e PS-së për këtë çështje. Më herët përmes një letre drejtuar Kryeparlamentares Jozefina Topalli, kreu i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi, argumentoi pakënaqësitë dhe parregullsitë e vëna re gjatë ndërmarrjes së këtyre veprimeve. “Në kundërshtim të plotë me nenin 13 të Rregullores, është ngritur Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, pa pëlqimin apo pa marrë më parë propozimet nga grupi parlamentar i PS-së në lidhje më anëtarët e këtij këshilli. Emërimi nga Kryetarja e Kuvendit i anëtarëve të opozitës, pa pyetur më parë ata vetë, grupin politik të cilit i përkasin dhe mbi të gjitha në mënyrë të fshehtë dhe pa asnjë lloj dijenie, dhunon parimet dhe frymën e Rregullores së Kuvendit”, vihej në dukje në letrën që kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Ruçi, i dërgoi dje Kryetares së Kuvendit, Topalli. Njëkohësisht, Ruçi iu referua dhe të drejtave që duhet të zotërojë opozita parlamentare në këtë këshill. Ndërkohë, duke shkuar më tej, kreu i ligjvënësve socialistë akuzoi se “shkeljet flagrante të procedurës si në formimin e Këshillit, ashtu edhe në futjen e propozimit për ndryshimin e Rregullores, me nxitim të pajustifikuar për rëndësinë që paraqet ky akt, tregojnë qartë synimet e mbrapshta që ka mazhoranca në lidhje me një nga funksionet më të rëndësishme që ka Kuvendi, dhënien e pëlqimit për kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›