E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pikëvështrim/Provincializmi është gjendje shpirtërore, e jo kuptim gjeografik

01-10-2012 / Nga Skënder Mulliqi

Po jetojmë në një dinamikë mbytëse, në një kohë krize globale. Po jetojmë në një kohë absurde me probleme të shumëllojshme të natyrës politike dhe të natyrës ekonomike. Problemet e jetesës po i vështirësojnë edhe logjika provincialiste e të vepruarit dhe të menduarit. Natyrisht se sjellja provincialiste vjen në shprehje më shumë tek ata të cilët jetojnë sot në provincë. Provinca jo rrallë është sinonim për vendet më të skajuara  gjeografike. Në fakt në çdo vend të botës edhe në Kosovë ekzistojnë vendbanime të tilla. Në këto vende sigurisht se ka njerëz të ndershëm të cilët janë punëtorë shumë të përkushtuar në profesionin të cilin edhe e ushtrojnë. Këta njerëz natyrisht edhe i kanë synimet e tyre jetësore. Por, e metë e madhe është bërë se në këto vende të quajtura provinca, më shumë thuren intriga dhe më shumë njerëzit merren më punët e huaja sesa shikojnë punët e veta. Një tjetër ves i keq që mund të dëgjohet dhe përjetohet në provincë janë të dhënat se të gjitha gjërat shikohen dhe elaborohen nën prizmin e provincializmit. Provincializmi është gjendje shpirtërore, e jo kuptim gjeografik. Të gjithë ata të cilët për shumë kohë kanë jetuar në provincë edhe po të banojnë në qytet ose në kryeqytet, bukur me besnikëri edhe i përcjellin të gjitha ato vese provincialiste. Duhet të kalojë një kohë bukur e gjatë që këto vese provincialiste të tejkalohen. Provincializmi përkon gjithashtu me rregullat dhe principet e pa shkruara të sjelljes dhe të veprimit. Sjelljet provincialiste janë shumë irrituese, të dëmshme për rrethin ku jetojmë dhe janë të dëmshme në përgjithësi për shoqërinë. Kjo logjikë provincialiste e të menduarit, sidomos të gjeneratës së vjetër dhe gjeneratës së mesme, është bërë shumë irrituese për gjeneratat e reja të cilat kanë krejt një logjikë tjetër të të menduarit dhe të vepruarit, dhe të cilët me të drejtë e paramendojnë një jetë krejt më ndryshe. Provincializmi është theksuar edhe për faktin më duket mua se njerëzit për shumë kohë kanë jetuar të izoluar në kohë dhe hapësirë, dhe e gjithë kjo ka bërë që të ngulitet edhe logjika provincialiste, ku njerëzit thurin gjithfarë intrigash në dëm të tjetrit, sa që nga këso lloj intrigash ka shumë raste kur kanë pësuar edhe personat e ndryshëm dhe familje të tëra. Intriga si provincilizmi që është po e ngulfat edhe zhvillimin e inteligjencës tek njerëzit të cilët janë bërë rob i logjikës provincialiste. Të bëhesh i “lumtur” në kurriz të thurjes së një intrige për tjetrin është pengesë e prosperitetit të një shoqërie. Ta shikosh të ardhmen përmes syzeve provincialiste, është shikim miop që individët e tillë nuk i shpie askund. Logjika provincialiste është logjikë paragjykuese, për t’i dhënë vetes të drejtë iluzore, që nuk përkon as më të drejtën e as me civilizimin njerëzor. Një person me ide provincialiste, është i prirur të bëjë edhe skandale të ndryshme, si në rrugë, në komunikacion në ndeja të ndryshme, në shoqëri, etj. Njerëzit me ide provincialiste mendojnë se kanë vlera të shumëfishta dhe se janë të gjithë-dijshmit e botës. Kjo në fakt shpreh të gjithë budallallëkun e tyre. Ata nuk munden të dalin nga levozhga në të cilën hermetikisht janë mbyllur. Dhe kësi njerëzish me ide provincialiste ka më bollëk edhe në kryeqytet. Nuk është më rëndësi se nga vjen, por është më rëndësi që në jetë shpejt të kuptohet mënyra dhe principi i logjikshem i të menduarit dhe të vepruarit. Njeriu gjatë jetës duhet të pësojë një katarsis pozitiv, se vetëm kështu mund të shikohet realisht jeta në këtë botë të mbushur përplot sfida. Në mbarë vendin tonë, dhe edhe ne vendbanimet që konsiderohen më pak të zhvilluara ka njerëz të cilët kanë kualitet, ka njerëz të mençur, të cilët janë në gjendje të krijojnë një shoqëri të re duke u ngritur mbi logjikën e imponuar provincialiste. Duhen bërë përpjekje që secilin njeri ta shikojmë përmes prizmit të vlerave e kualitetit që posedon sidomos të rinjtë tanë, duke i lënë anash vendin se ku ka lindur dhe prej nga vjen. Mos të bëhemi robër të stereotipeve të ndryshme dhe paragjykimeve të tejkaluara për këtë fillim shekull. Vetëm kështu do të jetë mire për të gjithë, vetëm pa logjikën provincialiste do të kemi një shoqëri të shëndetshme dhe prosperuese… 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›