E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shitja e armëve dhe municioneve sipas ligjit dhe nën monitorimin e OKB, BE dhe OSBE”

01-10-2012 / Gazeta 55

Reagon ministria e Mbrojtjes në lidhje me tregtinë e armëve dhe nxjerrjen e dokumenteve sekreteve, nga kasnecët e Edi Ramës
 
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar sërish dje ndaj akuzave të deputetit socialist, Erion Braçes për tregtinë e armëve dhe municioneve. Sipas kësaj ministrie, propaganda e deputeti Braçe është tipike komuniste dhe se ai nuk bind dot askënd me ngritjen e rrezikut malazez ndaj Shqipërisë. “Zoti Braçe, ti nuk bind dot askënd me ngritjen e rrezikut malazez ndaj Shqipërisë. Kjo është propagandë tipike komuniste dhe përfaqësuese e atyre plehrave të komunizmit”, deklaroi zëdhënësja e ministrisë së Mbrojtjes. Po ashtu Ministria e Mbrojtjes në lidhje me këtë çështje informoi se të gjitha armët dhe municionet që janë shitur nga MM, janë shitur me çmim më të lartë se në kohën kur këtë ministri e drejtonte PS: “për dijeni të opinionit publik, të gjitha armët dhe municionet që janë shitur nga Ministria e Mbrojtjes përgjatë kësaj periudhe, janë shitur me çmim më të lartë se në kohën kur këtë Ministri e drejtonte Partia Socialiste, pavarësisht se ato janë amortizuar me kalimin e viteve. Ky është respekti ndaj pasurisë kombëtare”, u shpreh nëpërmjet një deklarate për shtyp, zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Lorisa Ylli.
Ministria e Mbrojtjes i kërkon deputetit Braçe të denoncojë bashkëpunëtorët e tij publikisht dhe në organet përkatëse. “Ju i dispononi ato dokumente në rrugë anti-ligjore. Denonconi mjetet me të cilat ke arritur të disponosh ato dokumente. Meqë kërkon respektimin e ligjit, bëhu pjesë e luftës për vendosjen e ligjit, dhe jo bashkëpunëtor në veprimtari antiligjore. Bazuar në ligj, kontratat e shitblerjes së armëve janë të klasifikuara. Ju sot, ishit në dhunim të plotë të ligjit. Ju zoti Braçe e dini fare mirë se çfarë janë plehrat e komunizmit. Dhe po ju deklarojmë se Ministria e Mbrojtjes është e vendosur deri në fund për t’i pastruar ato”, u shpreh zëdhënësja, për të shtuar se këto plehra i kanë marrë frymën ushtrisë shqiptare në këto 20 vjet.
Ministria e Mbrojtjes deklaron se do i pastrojë këto plehra, për t’i dhënë ushtrisë frymëmarrjen e duhur dhe imazhin e ushtrisë euroatlantike. “Shitja e armëve dhe municioneve, për aq sa lejon ligji, është e deklaruar, publike dhe e monitoruar nga OKB, BE dhe OSBE. Shqipëria ka një rekord të pastër në këtë veprimtari. Njollat që Partia Socialiste është përpjekur t’i vendose tregtisë së ligjshme të armëve, në fakt është një sabotim, i cili për fat të keq, në vitin 2011 i ka ulur të ardhurat me 50 për qind. Ministria e Mbrojtjes dhe Ministri i Mbrojtjes, është i vendosur të përgjigjet për çdo dokument që mban firmën e tij, edhe sikur të supozojmë se dokumentet që ju paraqitet janë të vërtetë, pasi çdo dokument i firmosur nga ai është tërësisht ligjor”, vijoi deklaratën e saj zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas saj, deputeti Braçe nxit shthurjen institucionale, e cila nuk është as në interesin e Partisë Demokratike, as në interesin e Partisë Socialiste, e aq më pak në interes të shoqërisë shqiptare. “Ju sot morët në mbrojtje shkelësit e ligjit, kur në fakt duhet të bëni të kundërtën”, theksoi gjithashtu zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›