Pilula e emergjencës, femrat abuzojnë me përdorimin
ZIRINA LLAMBRO
Nuk preferojnë përdorimin e prezervativit, por kanë gjetur zgjidhje për të evituar shtatzëninë. Ndonëse pasojat për shëndetin janë të rënda, adoleshentet dhe të rejat nuk duan t'ia dinë shumë. Pilula e emergjencës ose siç njihet në vendin tonë "Postinori", përdoret pa teklif. Pas një zhdukjeje të gjatë nga tregu, kjo metodë kontraceptive është rikthyer prej disa muajsh në farmacitë e vendit. Gjatë periudhës kur grosistët nuk e sillnin në Shqipëri, "sekserë" për blerjen e saj u bënë një pjesë e mjekëve gjinekologë e vetë farmacistët. Pilula e emergjencës vinte kontrabandë për t'u shitur me dyfishin e çmimit. Por tashmë, që tregu furnizohet rregullisht është rikthyer fenomeni i përdorimit të saj sikur të jetë karamele. Alarmin e ngrenë vetë bluzat e bardha. Për ta është e papranueshme që pilula e emergjencës të përdoret nga moshat e reja sa herë që kryhen marrëdhënie seksuale. "Nuk është mirë të përdoret më shumë se dy herë në vit. Por për fat të keq nga eksperienca jonë na ka rezultuar që moshat e reja e përdorin çdo herë që kryejnë një kontakt seksual të pambrojtur, gjë e cila është e gabuar", shprehet drejtoresha e maternitetit "Koço Gliozheni", Rubena Moisiu. Ajo shton se, pilula e emergjencës nuk është metodë kontraceptive që duhet të përdoret për një kohë të gjatë. "Këshillohet vetëm në raste të rralla kur kanë dështuar metodat e tjera, si harruar pilula kontraceptive që përdor çdo ditë, është çarë prezervativi, raste përdhunimi apo incesti, e theksoje se nuk është mirë të përdoret më shumë se dy herë në vit", pohon mjekja obstetër-gjinekologe. Ajo shton se, adoleshentet e të rinjtë kanë mungesë informacioni për këtë metodë kontraceptive.
Efektet anësore
"Pilula përmban hormone dhe këto të fundit janë në doza të larta në këtë pilulë, për pasojë sjellin çrregullime të ciklit menstrual me zgjatje të tij më shumë se një muaj, ose me shkurtim të tij 2, ose 3 herë brenda muajit. Duhet të merren vetëm me përshkrimin e mjekut e jo të përdoren në varësi të dëshirave personale. Por për mungesë informacioni kjo shihet si zgjidhja më efektive", shton drejtoresha e maternitetit të ri. Sipas saj, për pilulën e emergjencës duhet të jepen këshilla edhe nga punonjësit socialë e psikologët në shkolla, pasi pasojat mund të jenë edhe të tilla. Mjekët këshillojnë që të mos përdoret kjo tabletë, nëse femrat janë duke u kuruar me ilaçe për ndonjë sëmundje. Kjo, pasi jo vetëm që pilula do të humbte efektin, por mund të shkaktonte probleme në qarkullimin e gjakut. Në politikat e planifikimit familjar, pikërisht për të shmangur këto efekte anësore, bluzat e bardha këshillojnë përdorimin e kontraceptivëve të tjerë siç janë prezervativi, apo pilula të tjera orale që nuk kanë efekte anësore në organizëm.
Çfarë është pilula e emergjencës
Kjo pilulë në formën e tabletës, dypërdorimëshe. Njëra kokërr merret menjëherë pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale dhe tjetra pas 12 orësh. Shmangia e shtatzënisë pas marrjes së kësaj pilule është e suksesshme deri në masën 97%. Sipas mjekëve, nëse ajo merret rreth 72 orë pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale, atëherë nuk ka më efekt. Në politikat e planifikimit familjar, për të shmangur efektet anësore të kësaj pilule, mjekët këshillojnë përdorimin e kontraceptivëve të tjerë, siç janë prezervativi, apo pilula të tjera orale, që nuk kanë efekte anësore në organizëm. Ajo duhet të përdoret vetëm në rastet kur metodat e tjera kontraceptive kanë dështuar.